Aktorja Rina Krasniqi fituese e dy çmimeve kryesore në PriFest.Foto: PriFest në Facebook.

Ndarja e pazakontë e çmimeve ndezë debat gjinor të patrajtuar më parë në Kosovë

Ndarja e çmimeve për aktoren Rina Krasniqi si aktori më i mirë dhe aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Prishtinë ka ndezur një debat rreth dekonstruksionit seksual dhe gjinor në shoqërinë kosovare.

Ndarja e pazakontë e çmimeve kryesore në Festivalin e Filmit në Prishtinë ka nxitur debat të ri e të patrajtuar më parë në Kosovë. Kjo pasi aktorja Rina Krasniqi, e cila luajti Luanën dhe më pas Xhekun – të njëjtin personazh por me gjini të ndryshme – në filmin “Virgjëresha Shqiptare”(The Albanian Virgin) u vlerësua me çmimin “Aktorja më e mirë” dhe “Aktori më i mirë”.

Juria e festivalit tha për Prishtina Insight se vendimi ishte i vështirë por i arsyeshëm duke pasur parasysh aktrimin profesional të Krasniqit.

Megjithatë, ky dekonstruksion seksual përmes çmimeve u kritikua nga dramaturgu dhe shkrimtari Ag Apolloni. Ndërsa në anën tjetër nga studiuesja gjinore, Mirishahe Syla kjo ndarje e çmimeve është një rast shumë i mirë për të hapur një debat të tillë në shoqërinë kosovare.

Foto: Elsani and Neary Media GmbH/Roland Guido Marx

“Mënyra se si e shoh unë është se këto çmime iu dhanë Luanës dhe Xhekut dhe ndodhi që unë që t’i mishëroj të dy. Unë jam shumë mirënjohëse për çmimet, por kjo i përket këtyre personazheve të mrekullueshëm dhe të thellë dhe historisë së bukur në të cilën u tregua zhvillimi i tyre”, tha Rina Krasniqi për Prishtina Insight.

Sipas Apollonit, çmimet e ndryshme për “aktor” dhe “aktore” janë të destinuara për gjininë e personit që luan në film, jo ​​për gjininë e personazhit.

Apolloni në Facebook e quajti idiotësi ndarjen e çmimeve në këtë mënyrë. Sipas tij, role të tilla kanë luajtur edhe shumë aktorë të tjerë në botë, por ata nuk kanë fituar çmime në këtë formë.

Sipas tij, dy çmimet kryesore për dy gjini nuk mund t’i jepni një aktoreje sikur të ishte një hermafrodite.

Cate Blanchet ka luajtur Bob Dylanin, por është nominuar në kategorinë “aktorja më e mirë”. Është kaq e thjeshtë. Ti mund t’i japësh aktores çmimin “Aktori më i mirë”, por është njësoj si ta lavdërosh një grua, duke i thënë “gjynah që s’je burrë”, ose “je aq e mirë sa meriton me qenë burrë,”ka shkruar Apolloni në Facebook.

Por, Ana Manchukh, anëtare e jurisë së festivalit, ka thënë për Prishtina Insight se vendimi nuk ka qenë i lehtë dhe se kanë diskutuar shumë me veten derisa njëzëri kanë vendosur të japin vendimin përfundimtar.

“Secili prej nesh ishte i bindur që Rina i meritonte të dy çmimet, sepse ajo mishëroi dy role krejtësisht të ndryshme në karakter, jo inferiorë ndaj njëri-tjetrit”, tha ajo.

John Matheison, gjithashtu anëtar i jurisë së vlerësimit, i tha Prishtina Insight se vendimi nuk ishte ndikuar apo ndikuar për të fituar favore, apo në ndonjë mënyrë me takt politik.

“Thjesht, ishte performanca më e mirë mashkullore, ndoshta nga një aktore femër, por a nuk është kjo ajo çfarë bëjnë aktorët, luajnë, jo veten e tyre?” pyeti Matheison.

Sipas tij, filmi për jetën e trazuar të një personazhi është një pjesë vërtet e fuqishme e kinematografisë që ai sinqerisht shpreson që pjesa tjetër e botës ta shohë.

“Rina Krasniqi jep një performancë të jashtëzakonshme, një herë në jetë: emancipimin e një gruaje që duhet të bëhet burrë për të mbijetuar. Në Festivalin e 14-të të Filmit në Prishtinë, interpretimet më të bukura për meshkuj dhe femra ishin të Rina Krasniqit”, shtoi ai.

Precedentë në historinë e kinemasë botërore

Kinematografia botërore tradicionalisht i ka shpërblyer aktorët dhe aktoret në bazë të gjinisë së tyre, jo sipas gjinisë së personazhit që kanë luajtur.

Për shembull, Jared Leto fitoi aktorin më të mirë në rol dytësor në Golden Globes për rolin e një gruaje transgjinore në Dallas Buyers Club, në vitin 2013. Hilary Swank fitoi çmimin Oscar për aktoren më të mirë për rolin e Brandon Teena, një burrë transgjinor amerikan, në “Boys Don’t Cry.”

Foto:Miramax

Linda Hunt mbetet e vetmja aktore që ka fituar një Oscar për rolin e një anëtari të seksit të kundërt, jo një transgjinor. Ajo u vlerësua si aktorja më e mirë në rol dytësor për rolin e fotografit Billy Kwan në filmin “The Year of Living Dangerously”, në 1982.

Rastet kur aktorët fitues të çmimeve kanë luajtur persona transgjinorë ose njerëz të gjinisë tjetër (një burrë që luan një grua ose anasjelltas) janë më të zakonshme. Më pak të zakonshme janë rastet kur personazhi ndryshon gjininë në një film për shkak të rrethanave të jashtme shoqërore, si për shembull te Virgjëresha Shqiptare.

Një rast i ngjashëm me The Albanian Virgin është roli i luajtur nga Gwyneth Paltrow në Shakespeare in Love, në të cilin skeda e saj maskohet si një burrë për t’u bashkuar me trupën e teatrit Globe. Ajo i solli asaj një Oscar për aktoren më të mirë dytësore.

Një rast tjetër është akti i Jack Lemmon dhe Tony Curtis duke luajtur muzikantë që i bashkohen një grupi vetëm vajzash, për t’u fshehur nga Mob. Klasiku i Billy Wilder, Some Like It Hot, i dha Lemmon nominimin e tij të dytë për aktorin më të mirë në rol dytësor në Academy Aëards.

Ndarjet binare ende dominojnë çmimet e festivaleve të mëdha

Ndërsa seksi përcaktohet në lindje, gjinia konsiderohet duke iu referuar dallimeve sociale dhe kulturore, në vend të dallimeve në biologji, sipas Oxford Dictionary. Gjinia shihet gjithnjë e më shumë si jo binar, por në një spektër, dhe të qenit burrë apo grua konsiderohet nga disa një rol i ndërtuar nga shoqëria.

Shumica e festivaleve botërore të filmit i kategorizojnë protagonistët si burra apo gra, dhe japin çmime për “aktorin më të mirë” dhe “aktoren më të mirë”, por disa individë nuk identifikohen me asnjërin grup, kështu që mbeten jashtë kategorisë së çmimeve.

Mirishane Syla, studiuese e çështjeve gjinore, tha për Prishtina Insight se kontributi më i madh i ndarjes së këtyre çmimeve në këtë formë në Kosovë është se ka hapur një diskutim të tillë në shoqërinë kosovare dhe debati është fokusuar në aspektin performativ të gjinisë.

Syla tha se fakti që një aktore si Rina Krasniqi mund të interpretojë dy gjini të ndryshme sa të fitojë çmime për të dyja shfaqjet është një tregues shumë i mirë se gjinia është mbi të gjitha një akt performues.

“Sidoqoftë, nëse një aktore identifikohet vetëm si një grua, atëherë nuk është gjinia që performon në rolet e saj ajo që do të duhej të përcaktonte se a shpërblehet si një aktor apo aktore. Një aktore që performon rolin e një burri aq mirë sa shpërblehet për atë performancë, është sërish një aktore e mirë. Nje aktore e mirë në rolin e një burri, ashtu siç mund të jetë një aktore e mirë në rolin e një krijese krejt tjetër,” ka shtuar Syla.

Sipas saj gjinia e performuar në film nuk e percakton atë të jetës jashtë filmit. Ndërsa, thotë se çmimi ndahet për perosnin jashtë filmit, prandaj ndahen edhe në kategori.

“Rina në rolin e saj si një burrneshë, nuk është Rina e vërtetë. Se kush është Rina e vërtetë e përcakton vetem ajo. Në qoftëse Rina do te identifikohej si një burrë dhe te performonte atë identitet në jetën e saj jashtë filmit, atëherë shpërblimi për rolin e saj si një vajze do të duhej të ishte ai i aktorit më të mirë. Dhe e kundërta, përkundër që Rina luan rolin e një burri në film, ajo mbetet aktore e mirë për atë performancë,” shton ajo

“Unë identifikohem si femër e gjinisë cis”, tha Rina Krasniqi për Prishtina Insight.

Ndërsa ngjarjet e mëdha si Baftas, Oscars apo Golden Globes ende i përmbahen ndarjes së vjetër binare të çmimeve, një numër në rritje i festivaleve ndërkombëtare, duke përfshirë Festivalin e Filmit në Berlin dhe Festivalin e Filmit në Locarno, kanë kaluar në kategori neutrale për gjininë.

Çmimet në PriFilmFest duket se janë edhe hapi i parë drejt një neutralizimi të tillë. Dhe nuk mund të kishte një moment dhe metaforë më të mirë për të futur çmime neutrale gjinore sesa përmes një filmi që përshkruan jetën e një burrëneshë, një grua që ndryshon gjininë dhe bëhet burrë për shkak të rrethanave sociale.

Drejtori artistik i PriFest, Fatos Berisha, tha për Prishtina Insight se vendimi për t’i dhënë të dyja çmimet Rina Krasniqit ishte i pazakontë dhe reagimet e ndryshme janë të natyrshme.

Sipas tij, reagime të tilla janë të pritshme kur thyhen klishetë dhe nisin debatet e hapura për botën ku jetojmë dhe industrinë në të cilën operojmë.

Ai nuk komentoi ndonjë plan për të kaluar në kategoritë neutrale gjinore për PriFilmFest.

“Gjithsesi, mendoj se çdokush që jep një mendim për vlerësimin e jurisë do të duhej paraprakisht ta kishte parë filmin ‘Virgjeresha shqiptare’ dhe zhvillimin e rolit/personazhit të Luanës në Jack, që i dha jurisë mundësinë unike për të marr këtë vendim,” tha ai. 

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, i njohur  si PriFilmFest, mbahet çdo vit në kryeqytetin e Kosovës.

Festivali shfaq prodhime të njohura ndërkombëtare të kinemasë në Ballkan dhe më gjerë, dhe tërheq vëmendjen në industrinë e filmit kosovar. Ky edicion i është kushtuar producentes dhe themelueses së këtij festivali, Vjosa Berisha, e cila vdiq më 23 qershor të këtij viti.

Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.