Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria Kulturës me standarde të dyfishta për mbështetje të artistëve

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po përdor standarde të dyfishta kur është në pyetje alokimi i mjeteve për projektet e artistëve që janë mbështetur nga Pakoja Emergjente, faza e parë.

Artistë të skenës së pavarur kanë konfirmuar për KALLXO.com se ende nuk i kanë marrë mjetet e ndara për projektet e tyre, pavarësisht faktit se lista e fituesve ka më shumë se tre muaj që është bërë publike.

MKRS, më 11.12.2020 shpalli fituesi e thirrjes për mbështetje të projekteve kulturore për individë nga Fondi i Rimëkëmbjes ekonomike – Faza e parë.

Kryesisht, MKRS ka anashkaluar (nuk u ka dhënë ende mjetet) artistëve të skenës së pavarur, tek kategoria – projekti “Artisti i mbijetesës”, edhe pse tashmë ka muaj që ka nënshkruar kontratat me ta.

Ndërsa, mjetet, po nga thirrja për mbështetje nga pakoja emergjente, u janë dhënë artistëve të cilët kanë edhe burime tjera të të hyrave.

MKRS nuk ka kthyer përgjigje për KALLXO.com, lidhur me mosalokimin e mjeteve të ndara për artistët e skenës së pavarur, deri në publikimin e artikullit.

Ndërsa, artistë të skenës së pavarur janë shprehur për KALLXO.com se nuk i dinë arsyet pse ministria nuk po ua jep mjetet financiare.

Flamur Ahmeti, aktor, ka konfirmuar për KALLXO.com se ende nuk i ka marrë mjetet e ndara nga fondi i rimëkëmbjes për projektin e tij.

“Jo ende nuk është alokuar asnjë mjet financiar. Projekti është ‘Artistet e mbijetesës’ nga thirrja Fondi i rimëkëmbjes. Për këtë projekt na janë ndarë 2,000 euro”, ka thënë ai.

Mjetet nuk i janë dhënë ende as Alketa Sylaj, e cila është mbështetur po me 2,000 euro.

“Jo, prej dhjetorit që kam nënshkruar kontratën, nuk na i kanë dhënë mjetet”, ka konfirmuar ajo, për KALLXO.com

As artisti Lekë Morina nuk i ka marrë paratë për projektin, i cili është mbështetur në bazë të thirrjes së fazë së parë të fondit emergjent.

“Jam mbështetur me projekti  ‘Artisti i mbijetesës’, me të cilin kam aplikuar dhe kam nënshkruar kontratë në vitin 2020 me MKRS, me qellim për mbështetje financiare me vlere 2,000 eurove. Përndryshe, paratë nuk i kam marr ende dhe nuk kam informata të qarta se pse nuk i kam marrë”, ka thënë ai, për KALLXO.com

MKRS është kritikuar në vazhdimësi sa i përket politikave që ka ndjekur për të mbështetur komunitetin artistik, për të përballuar pasojat që ka shkaktuar COVD-19.

Regjisori Ben Apolloni ka thënë në një përgjigje për KALLXO.com se Ministria e Kulturës ka dështuar në çdo gjë sikur edhe në këtë fond.

“E kam parë që në thirrjen që u ka bë artistëve për këtë fond, në vend që të përkrahen ata pa punë të përhershme, fondi është shpërndarë për ata që janë te punësuar. Keq. Shumë keq”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Vitin e kaluar, Qeveria kishte ndarë 5 milionë euro nga pakoja emergjente për të mbështetur fushën e kulturës, risin dhe sportit, pas shpërthimit të coronavirusit dhe masave për parandalimin e pandemisë.

MKRS-së i ishte ndarë kjo shumë në dy pjesë. Shuma prej 2.5 milionë eurove ishte vënë në dispozicion të ministrisë vitin e kaluar. Ndërsa pjesa tjetër këtë vit.