Pamje nga shfaqja ‘La Rrem’. Foto: KALLXO.com

Kritika e Enver Petrovcit për "La Rrem": Kjo shfaqje nuk ka të bëjë me Muharrem Qenën

Vlerësime të ndryshme janë dhënë për shfaqjen “La Rrem”, premiera e të cilës u dha të hënën në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja e realizuar nga TKK-ja me tekst të Arian Krasniqit dhe regji të Kushtrim Koliqit, për më se një orë e gjysmë ‘riktheu’ në skenën e këtij teatri njërin prej personaliteteve më të njohur të skenës teatrore në vend, Muharrem Qenën.

Përmes kësaj shfaqjeje mëtohet të prezantohet gjithë kalvari jetësor i Qenës në skenën kulturore të Kosovës; personaliteti, këmbëngulja, shkëlqimi e deri te prapaskena ndaj tij.

Aktorja Igballe Qena, bashkëshortja e Muharrem Qenës, ka thënë pas premierës se shfaqja është bazuar në faktet monografike por ka shtuar se sado që bëhet nuk është e mjaftueshme për Qenën.

Qena ka thënë se ka mbetur e mallëngjyer nga ajo çfarë ka parë gjatë shfaqjes.

“Skena e fundit ishte për mua shumë emocionuese, sepse, pikërisht ato fjalët ‘nuk ta di emrin, po të dua shumë, e di që të dua shumë’, më kanë zgjuar emocion, pasi përkon me realitetin e ditëve të fundit të jetës së tij”, ka thënë aktorja Qena.

Vlerësimet për shfaqjen

Jeton Neziraj, dramaturg, në një postim në Facebook ka potencuar se regjisori Koliqi dhe ekipi kanë bërë një shfaqje të mrekullueshme.

“Bravo Gigi Koliqi dhe krejt ekipit për këtë shfaqje të shkëlqyeshme! Çfarë pune me përkushtim e dedikim, për një prej figurave ma t’ randësishme të teatrit në Kosovë! Çfarë muzike fantastike e komponume nga Trimor Dhomi, me plot energji, pasion e ndjeshmëri muzikore! Trimori nuk mjaftohet sall me na i sjellë këngët e mrekullueshme të Muharrem Qenës, por atyne u jep sharm e energji te re! Rekomandim: për angazhimin e qasjen regjisoriale, për lojën e këndimin fantastik të aktorëve, e mbi të gjitha, për muzikën briliante!”, ka shkruar Neziraj.

Ndërkaq, Adrian Berisha, drejtor për Kulturë në Komunën e Prishtinës, ka shkruar në Facebook se shfaqja “La Rrem” riktheu në teatër figurën shumëdimensionale të Qenës.

“Shfaqja ‘La Rrem’ na riktheu sonte në teatër figurën shumëdimensionale të Muharrem Qenes. La Rrém është njeriu revoltues, kryengritës dhe mosnënshtrues. Një bravo të madhe për punën tekst shkruesit Arian Krasniqit dhe regjisorit Kushtrim Koliqi”, ka shkruar ndër të tjersah Berisha në Facebook.

Pamje nga shfaqja ‘La Rrem’. Foto: Facebook/Adrian Berisha

Mjuzikëli në tendencë

Por, mendime ndryshe për shfaqjen kanë dhënë aktori Enver Petrovci dhe regjisori Agim Selimi.

Enver Petrovci ka thënë për KALLXO.com se shfaqja kushtuar Muharrem Qenës ishte një shfaqje “mjuzikël në tendencë”,

“As nuk ishte një shfaqje klasike as mjuzikël klasik, por një mjuzikël në tendencë. Kështu do ta quaja unë, një mjuzikël në tendencë, ku aktori përdoret për këndim dhe vallëzim, por të dyja këto nuk shkonin deri në fund, por mbeten si tendencë, gjë që nuk po them që është diçka e keqe”, ka thënë Petrovci.

Ai ka thënë se në këtë shfaqje nuk ka parë diçka të Muharrem Qenës, përveç këngëve të tij. Bile sipas tij, shfaqja do të kishte pasur kuptim po të kishte një emër tjetër me dedikim për Muharrem Qenën.

“Unë nuk mund të betohem se Muharremin e kam njohur shumë mirë, por e kam njohur mirë dhe kjo shfaqje nuk ka të bëjë me të, përpos këngëve të tij”, ka thënë Petrovci.

Sipas tij, shfaqja nuk pasqyronte as biografinë e Qenës, përveç disa sekuencave dhe dialogëve që i arsyetonin këngët që vini pas.

Ai ka lavdëruar disiplinën e aktorëve dhe muzikën e shfaqjes kompozuar nga Trimor Dhomi.

Pamje nga shfaqja ‘La Rrem’. Foto: KALLXO.com

Ndërsa, regjisori Agim Selimi ka thënë se shfaqja e “La Rrem” e sjell mjaft zbehtë figurën e Muharrem Qenës.

“Tendenca veç më ba një lloj show nuk prek esencën e Muharrem Qenës. Autorët e shfaqjes ishin marrë me detaje të vogla, më penguan disa banalizime dhe tendenca për me ba show prej saj, mu duk e papërshtatshme”, ka thënë Selimi për KALLXO.com.

Fjala e regjisorit

Kurse, regjisori i shfaqjes Kushtrim Koliqi ka thënë pas premierës se nuk ka qenë e lehtë  përmbyllja e një shfaqjeje për Qenën.

“Jemi munduar t’i marrin të gjitha elementet që atë e bënin një figurë të jashtëzakonshme, një artisti me shumë ideale, me shumë parime, anti- sistem, kundër establishmentit, me idenë që nuk bënë kompromise për vlerat kulturore”, ka thënë Koliqi.

Posteri i shfaqjes ‘La Rrém’. Foto: TKK