Projekti i stacionit të autobusëve FOTO: Berat Sadiku, drejtor i urbanizmit në Vushtrri

Konflikti MD vs Komunë, e lë Vushtrrinë pa stacion të autobusëve

Qyteti më i vjetër në Kosovë, Vushtrria vazhdon të jetë pa një stacion të autobusëve të cilën qytetarët do të mund të shfrytëzonin.

Banorët e Vushtrrisë, autobusët e linjave të ndryshme, detyrohen t’i presin vend e pa vend. E gjitha, po ndodh për shkak të konfliktit mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Komunës së Vushtrrisë.

Foto arkiv, Komuna e Vushtrrisë, ndalja e autobusit

Në pronën e ish motel “Vicianumit” në të cilën Komuna e Vushtrrisë e kishte paraparë për ndërtimin e stacionit të autobusëve, Ministria e Drejtësisë kishte gjetur shkelje ligjore.

Përmes një konference për media, zëvendësministri i Drejtësië, Blerim Sallahu kishte denoncuar rastin.

Sallahu kishte thënë se kjo pronë në mënyrë të jashtëligjshme iu kishte dhënë një kompanie private, kështu duke iniciuar edhe shkarkimin e ish drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçit.

“Kompania që ka fitu kontratë nuk ka pas certifikatë të biznesit këtë certifikatë e ka pranu pesë orë pasi ka pranu kontratë për shfrytëzimin e pronës. Baza ligjore nuk jep të drejtë për dhënien në shfrytëzim të asaj prone. Në kundërshtim me ligjin akterët e përfshirë kanë lidhur kontratën e cila jep në shfrytëzim pronën e MD dhe SHKK ndërsa në këmbim është marrë çmim banal prej 2 mijë e 100 euro në muaj, ndërsa sipas vlerës së tregut çmimi është më i lartë. Kompania ka demolu hotelin ‘Vicinaum’ dhe objekte të tjera, kemi të bëjmë më ndërmarrja të përbashkët kriminale. Kontrata është nënshkruar nga Nehat Thaçi”, pati thënë Sallahu.

Pas kësaj, në një përgjigje për KALLXO.com Berat Sadiku drejtor i Urbanizmit në Vushtrri ka thënë se kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë rikthimin e kësaj prone në kuadër të Komunës.

Sadiku ka shtuar se janë në pritje të përgjigjes nga Ministria e Drejtësisë.

“Komuna e Vushtrrisë është në fazën përfundimtare të hartimit të Hartës Zonale Komunale me ç’rast kemi planifikuar hapësirën për stacionin kryesor të autobusëve në dalje të qytetit dhe dy hapësira për vend-ndalje të autobusëve në zonën urbane. Komuna e Vushtrrisë i ka bërë shkresë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë për kthimin e kësaj prone, duke ditur faktin se Drejtoria e Urbanizmit ka përfunduar projektin ideor për stacionin e autobusëve”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Projekti i stacionit të autobusëve
FOTO: Berat Sadiku, drejtor i urbanizmit në Vushtrri

Ndërkaq nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë për KALLXO.com se deri në përfundimin e kontekstit gjyqësor në të cilin ndodhet çështja, nuk mund të marrin asnjë vendim.

“Komuna e Vushtrrisë, me datë 27/04/2021 i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë lidhur me pronën ku gjendet ish ‘Motel Vicinaumi’ në Vushtrri, për dhënie në shfrytëzim afatgjatë të saj me qellim të ndërtimit të Stacionit të Autobusëve. Me date 05.05.2021, ministrja e Drejtësisë në përgjigjen drejtuar kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, ka theksuar se pas shkëputjes së kontratës, kjo çështje është në kontest gjyqësor rrjedhimisht deri në përfundim të kësaj çështjeje nuk mund të marrim ndonjë vendim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ishin përfshirë në një debat në lidhje me pronën e ish motel ‘Vicinaum’ në Vushtrri.

Ministrja Haxhiu kishte thënë se Tahiri kishte lejuar rifillimin e punimeve në pronën e ish motelit.

“Kompania të cilës ia kemi shkëputur kontratën për shkak se e njëjta ishte lidhur me shkelje të rënda ligjore, pavarësisht vendimit të Ministrisë, ka rifilluar punimet në pronën ‘Vicianium’ në Vushtrri. Kryetari i Komunës, z. Xhafer Tahiri nuk duhet të lejojë keqpërdorimin e pronës publike”, kishte thënë Haxhiu.

Ndërsa Tahiri kishte reaguar duke thënë se nuk ka kërkesë zyrtare nga MD për ndalimin e punimeve ndërsa i kishte kërkuar Haxhiut rikthimin e asaj prone në kuadër të Komunës së Vushtrrisë.

Xhafer Tahiri, kryetar i komunës, në vitin 2017 pati premtuar se ky projekt do të përfundonte brenda mandatit të tij katër vjeçar.