Bujqësia organike mund të jetë ushqim i mjaftueshëm për të gjithë Evropën deri në vitin 2050

E gjithë popullsia e Evropës mund të ushqehet pa ndonjë import ushqimesh deri në vitin 2050, thotë një studim i kryer nga Qendra Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore (CNRS), shkruan Euronews.

Studimi, i cili bazohet në të kaluarën për të ndryshuar të ardhmen, zbuloi se faktorët e mjedisit dhe përdorimi i shtuar i plehrave sintetikë që nga Lufta e Dytë Botërore kanë bërë që Evropa të ketë vazhduar të importojë mallra bujqësorë.

Produktet shtazore p.sh. mishi, qumështi dhe peshku, produktet e perimeve dhe produktet ushqimore importohen të gjitha nga jashtë Evropës në mënyrë që të na ushqejnë dhe t’i mbajnë raftet tona të furnizuara me ushqim.

Në vitin 2020 u raportua se 47 përqind e produkteve tona prej perimeve janë importuar nga jashtë Evropës.

Si duhet të ndryshojnë sistemet tona ushqimore?

Shkenctarët nga kjo qendër thonë se përmes një procesi në tri faza, ne mund ta kemi “një sistem agro-ushqimor organik, të qëndrueshëm, miqësor ndaj biodiversitetit” Kjo mund të nënkuptojë prodhimin e pavarur të ushqimit tonë deri në vitin 2050.

Hapi i parë përfshin një ndryshim në dietë, duke përfshirë një ulje të numrit të produkteve shtazore që e konsumojmë.

Midis viteve 1961 dhe 2013, popullsia e Evropës u rrit nga 428 në 540 milionë banorë. Kjo rritje kishte një efekt trokitës në konsumin e përgjithshëm të proteinave në rajon, i cili u rrit nga 35 përqind në 55 përqind. Kjo do të thotë që mesatarisht konsumi i proteinave i secilit individ është rritur me rreth 80 për qind.

Duke e kufizuar konsumin e produkteve shtazore, do të kishte më pak presion mbi blegtorinë dhe si rezultat më pak kërkesë për importe.

Hapi i dytë do të përfshinte heqjen qafe të “bujqësisë industriale” duke krijuar hapësirë për të diversifikuar rotacionin e të korrave duke përdorur dheun dhe tokën tashmë të disponueshme. Pritet që kjo gjithashtu të zvogëlojë numrin e pesticideve sintetike dhe plehrave të përdorura, duke zvogëluar sasinë e azotit të prodhuar dhe të liruar në atmosferë.

Hapi i fundit përfshin bashkimin e të korrave dhe bagëtive të cilat në fakt asnjëherë nuk takohen në industrinë aktuale. Shkencëtarët shpresojnë se kjo afërsi e kafshëve dhe bimëve do të lejojë një proces më të butë të riciklimit të plehut.

Ata gjithashtu thonë se riciklimi i mbetjeve njerëzore mund të jetë një faktor kryesor në krijimin e një Europe më të pastër deri në vitin 2050. Vlerësohet se riciklimi i rreth 70 për qind të mbetjeve njerëzore mund të bëjë një ndryshim masiv në nxitjen për një Evropë më të pastër, më miqësore me mjedisin.

Permes këtij procesi me tre hapa, Evropa mund të bëhet një lojtar kryesor në industrinë e eksporteve të ushqimit deri në vitin 2050.

 

Përkthimi: Nuhi Shala