Pamje nga provat në Baletin Kombëtar. Foto: KALLXO.com

Avokati i Popullit mban ‘peng’ konkursin për zgjedhjen e drejtorit të Baletit Kombëtar

Një shqetësim i Institucionit të Avokatit të Popullit po mban ‘peng’ zhvillimin e proceduarve për zgjedhjen e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, sipas konkursit të datës 26.10.2021.

Sabrie Spahiu, Kreshnik Musolli, Driton Saqipi, Mirsad Ferati, Sinan Kajtazi, Labinot Rexhepi, janë konkurrentët që janë në pritje të fillimit të procedurave të intervistimit për postin e të parit të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Konkursi për drejtor të BKK-së ishte mbyllur në fillim të dhjetorit 2021, por procedura për intervistimin e kandidatëve nuk ishin zhvilluar për shkak të një shqetësimin që Avokati i Popullit kishte dërguar në drejtim të MKRS-së.

Zana Fetiu, këshilltare për media e ministrit të MKRS-së, ka thënë për KALLXO.com se pas përfundimit të afatit të aplikimit për këtë pozitë, MKRS ka pranuar një rekomandim nga Institucioni i Avokatit të Popullit, lidhur me një shqetësim rreth konkursit.

“Andaj, sipas rekomandimit të tyre është dashur të presim deri në sqarimin e kësaj situate nga ana e tyre. Duke vepruar konform rekomandimeve të tyre ne jemi në pritje të këtij sqarimi/opinioni dhe pastaj vazhdojmë sipas procedurave dhe afateve ligjore”, ka thënë Fetiu.

Këshilltarja Fetiu nuk ka treguar se për çfarë shqetësimi, apo rekomanidmi bëhet fjalë.

Institucioni i Avokatit të Popullit nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me shqetësimet e ngritura për konkursin.

Zyrtarë të këtij institucioni premtuan se do të kthejnë përgjigje në pyetjet e KALLXO.com, por këtë nuk e bën deri në publikimin e artikullit.

Ndërsa, Leonroa Rexhepi, kryetare e Këshillit Drejteus të BKK-së ka thënë se ende nuk ka marrë ndonjë informacion lidhur me fillimin e procedurave lidhur me intervistimin e kandidatëve konkurrues.

“Ne si Këshill Drejtues nuk kemi ende një përgjigje lidhur me këtë çështje nga MKRS”, ka thënë ajo.

Sipas ligjit për Filharmoninë, Operën dhe Baletin (FOB), drejtori i BKK-së zgjedhet nga Këshilli Drejtues i këtij institucioni.

“Drejtori zgjedhet në bazë të konkursit publik të shpallur nga Këshilli Drejtues me propozim të Këshillit artistik. Për drejtor të Baletit zgjedhet personi me përgatitje profesionale në fushën e artit dhe të kulturës, si dhe me përvojë dhe aftësi udhëheqëse”, thuhet në nenin 46 të Ligjit për FOB-në.

Drejtori i Baletit zgjidhet me mandat 3 vjeçar.

Që nga 2018 BKK udhëhiqet me ushtrues të detyrës së drejtorit. Në 2019-ën ishe hapur konkursi për drejtor të BKK-së. Sinan Kajtazi  ishte zgjedhur si kandidati më i suksesshëm. Por konkursi u anulua pas një opinioni të Agjencisë Kundër Korrupsion, sipas të cilit zgjedhja e Kajtazit në këtë pozitë ishte konflikt interesi.

Një konkurs tjetër u hap në 2020, por u anulua për shkak të mos interesimit të kandidatëve.

Balerini Kreshnik Musolli, aktualisht është në detyrën e zëvendësuesit të drejtorit të BKK-së.

Zyrtare, anulohet konkursi për drejtorin e Baletit Kombëtar