Gurthyes FOTO- "Ec ma ndryshe"

Auditori konstaton se nuk janë zbatuar sa dhe si duhet dispozitat ndëshkuese ndaj gurëthyesve

Katër institucione të vendit, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, Komisioni për Miniera dhe Minerale, Komuna e Pejës dhe ajo e Malishevës, kanë qenë pjesë e auditimit të performancës lidhur me procesin i licencimit të shfrytëzuesve të mineraleve ndërtimore e industriale dhe mbrojtja e ambientit nga kjo veprimtari.

Sipas Auditorit, objektivë e auditimit ishte të vlerësoj nëse procesi i dhënies së licencave dhe lejeve për aktivitete minerare është funksional dhe nëse institucionet e Kosovës i koordinojnë aktivitete e tyre për mbrojtjen e mjedisit.

Pasi institucionet përgjegjëse duhet t’i sigurojnë qytetarët se mineralet shfrytëzohen në mënyrën e duhur dhe se sigurohet mbrojtja e mjedisit.

Rezultatet e këtij raporti tregojnë se institucionet nuk kanë bërë sa duhet për mbrojtjen e mjedisit duke bërë kështu që operatorët të punojnë pa kritere dhe pa siguri.

Shkaktarë të mangësive Auditori evidentoi mos koordinimin me palët tjera gjatë licencimit, mungesa e pëlqimeve nga organet përgjegjëse për rrugët, mungesa e programit të detajuar të rehabilitimit, vazhdimi i licencave në mungesë të rikultivimit të zonave ku janë shfrytëzuar mineralet.

Në raport thuhet se Inspektorati nuk kishte zbatuar si duhet dispozitat ndëshkuese ndaj operuesve ilegal.

“Gjatë viteve 2018 dhe 2019, Inspektorati i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale nuk kishte zbatuar si duhet dispozitat ndëshkuese dhe monitorimin ndaj operuesve ilegal. Kjo rrezikon mbrojtjen e mjedisit nga aktiviteti minerar të cilat paraqesin rrezik për njerëzit dhe kafshët”, thuhet në raport.

Tutje thuhet se dhënia e pëlqimeve dhe lejeve mjedisore karakterizohet me mangësi edhe tek Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në monitorimin e vlefshmërisë së pëlqimeve mjedisore dhe procesin e lejeve mjedisore, monitorimin e operuesve që shfrytëzojnë mineralet, inspektimin e shfrytëzuesve të mineraleve dhe mangësi në zbatimin e dispozitave ndëshkuese.

Sipas Auditorit, këto kanë ndikim negativ direkt në mbrojtjen e mjedisit nga aktiviteti minerare njëkohësisht kanë edhe efekt financiar.

Raporti i Auditorit rezultoi me 10 rekomandime për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, 6 rekomandime për Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit dhe një rekomandim për inspektoratet komunale.

Auditori bën të ditur se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe Komuna e Pejës janë pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit si dhe janë zotuar se do t’i adresojnë rekomandimet e dhëna, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit, në përjashtim të dy çështjeve, për të cilat komentet janë në shtojcën e këtij raporti. Ndërsa nga Komuna e Malishevës Auditori nuk ka pranuar përgjigje.

Kundërshtime për dhënien e pronës komunale për gurëthyesit

Në muajin gusht të vitit që shkoi, KALLXO.com raportoi se Drejtoria e Urbanizmit në komunën e Malishevës ka anuluar vendimin për lëshimin e parcelës kadastrale për ndërtimin e një gurëthyesi.

Vendimi është tërhequr pas vendimit të Kuvendit Komunal të Malishevës dhe pas peticionit të banorëve të fshatrave Turjakë dhe Panorc.

Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Malishevës, Ahmet Morina, bazuar në vendimin e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ka marrë vendim për anulimin e vendimit të mëhershëm, për një kompani, e cila planifikonte të shfrytëzonte rreth tre hektarë sipërfaqe për qëllime komerciale

Kundër dhënies së pronës komunale për shfrytëzim nga gurëthyesit ishin edhe banorët e fshatit Gadime të Lipjanit. Në muajin shkurt të vitit të kaluar, banorët e këtij fshati kishin mbledhur mbi 400 nënshkrime për të kundërshtuar dhënien e këtyre pronave.

Edhe në mesin e vitit 2019, kishte protesta që kundërshtonin ndërtimin e gurëthyesit por në një komunë tjetër. Në atë kohë rreth 150 banorë të fshatit Kusar të Komunës së Gjakovës kishin dalë në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e gurëthyesit.

Së fundmi në emisionin “Pazari për milionat e gurëthyeseve”, u diskutua  për pazarin që e bën partitë politike që në Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike të futej një nen, i cili u sjellë shumë përfitime gurëthyesve dhe kompanive që merren me aktivitete minerare.