Foto: NPL 'Sport Marketing', Shtepia e Gurit ne Brezovice

A e ka humbur Prishtina 'Shtëpinë e Gurit' në Brezovicë?

‘Shtëpia e Gurit’ në Brezovicë, është shfrytëzuar nga Komuna e Prishtinës për t’ua mësuar kursin e skijimit nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme.

Objekti ‘Shtëpia e Gurit’ gjendet në lokacionin e qendrës rekreative të skijmit.

Organizmi i kësaj shkolle u ndërpre me ardhjen e kryetarit Shpend Ahmeti në pushtet, i cili dyshoi në keqpërdorime nga ana e shkollave.

‘Shtëpi e Gurit’ është ndërtuar në vitin 1965 nga një shoqatë bjeshkatarësh dhe skitarësh (Prishtina po ashtu pretendon se e ka ndërtuar komuna) të cilët e konsiderojnë si pronë të tyren, kurse në vitin 1980 i ishte dhënë në shfrytëzim Komunës së Prishtinës.

Kurse, në kohën sa kishte qenë kryetar i Prishtinës Ismet Beqiri, me vendim të Kuvendit Komunal, objekti iu dha në pronësi të përhershme NPL ‘Sport Marketing’.

Për këtë vendim ‘Shoqata e Bjeshkatarëve’ kishte paditur Ndërmarrjen ‘Sport Marketing’, por sipas një aktvendimi të Gjykatës së Ferizajt, dega Shtërpcë, në vitin 2018 padia ishte tërhequr.

 

Problemi qëndron se Komuna e Prishtinës nuk posedon ndonjë dokument për pronësinë e këtij objekti.

Derisa shtëpia u shfrytëzua edhe nga struktura paralele të Shtërpcës disa vite pas luftës, pasi edhe kjo komunë e konsideron si pronë të tyren.

Komuna e Prishtinës këtë objekt e ka humbur në vitin 1995, kur komuna e Ferizajt në atë kohë kaloi atë pronë tek një shoqate alpiniste.

Derisa aksionar të ndërmarrjes dhe asambleistë të shumtë të kryeqytetit konsiderojnë se prona është e Prishtinës dhe rasti në gjykatë është humbur për shkak se komuna nuk ka ofruar dëshmi të mjaftueshme.

Foto: NPL ‘Sport Marketing’

Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Sport Marketing’ Liridon Llapashtica, në shpalosjen e raportit të ndërmarrjes para Kuvendit Komunal tha se në statut kjo shtëpi figuron si aset i kësaj ndërmarrjeje, pasi është ndërtuar nga Komuna e Prishtinës.

“Ndërmarrja nuk ka asete, është shumë e varfër. Në statut thirret edhe në ‘Shtëpinë e Gurit’ në Brezovicë, për të cilën kam shkuar edhe në arkivë për dokumentacion pasi figuron si e jona dhe doja të dija nëse mund të thirremi në të. Nga ajo që kemi arritur të sigurojmë, objekti është ndërtuar prej ndërmarrjes së asaj kohe, para luftës dhe në vazhdimësi nga ky Kuvend është bërë investim deri në vitin 2013-2014”, ka thënë Llapashtica.

Sipas tij, telashet kanë ardhur pasi në vitin 1995, sipas dokumenteve të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, prona është bartur tek një shoqatë alpiniste në Shtërpcë.

Ai madje konsideron se duhet të marrin parasysh që shumë vendime gjyqësore me bazë diskriminuese në kohën e masave të dhunshme, janë hedhur poshtë.

“Në vitin 1995 sipas dokumenteve të marra nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, komuna e Ferizajt, atë kohë e ka bartur pronën tek një shoqatë alpiniste me bazë në Shtërpcë. Kemi qenë atje dhe kemi prezantuar dokumentet tona, ata kanë thënë që është mirë të ulemi edhe një herë dhe të bisedojmë rreth çështjes së pronësisë dhe objektit”, tha ai.

“E di që ka gjyqtarë që i njohin ato vendimet e kohës së masave të dhunshme. Ekziston një ligj që i ka hedh poshtë vendimet e viteve 90-ta, madje edhe në kohë të UNMIK-ut”, ka thënë Llapashtica.

Sipas tij, përgjigja që është kthyer nga gjykata themelore e Ferizajt në vitin 2018 ka qenë se nuk merren me një proces të gjykuar më herët.

“Përgjigja që është kthyer para dy viteve prej gjykatës themelore të Ferizajt ka qenë se nuk merren me një proces që është gjykuar më herët, pra ky nuk ka qenë vendim i gjykatës, por një përgjigje. Unë mendoj që ende ka mundësi, objekti nuk është i humbur, pasi është pronë e Kuvendit Komunal të Prishtinës”, ka shtuar tutje Llapashtica.

Fatos Dibra nga zyra ligjore në Komunën e Prishtinës, thotë se çështja gjyqësore është mbyllur dhe kanë kaluar afatet ligjore që ta ndjekin edhe më tutje në gjykatë.

“Ndërmarrja e ka përfaqësuar vetveten me një të angazhuar privat. Në dokumentet që kanë qenë, gjykata në Ferizaj ka thënë se është çështje e gjykuar, me një vendim gjyqësor të vitit 1995. Në aspektin gjyqësor janë humbur të gjitha afatet për ankesa, nuk ka mundësi ligjore që kjo punë të ndiqet në gjykatë”, tha ai.

“Komuna e Prishtinës ka pretenduar që është pronë e saj, kur unë kam parë dokumentet, ka qenë pjesa kur gjithçka është kryer”, ka thënë ai.

Dibra madje shtoi se ka qenë edhe një vendim i komunës në kohën e ish kryetarit Ismet Beqiri ku thuhet se do bëhet një zgjidhje bashkë me ndërkombëtarët.

“Kur e kemi marr dokumentacionin ka qenë edhe një vendim i Kuvendit Komunal në kohë të zotit Beqiri ku thuhet se në bashkëpunim me përfaqësuesit ndërkombëtar dhe Komunën e Shtërpcës do bëhet një zgjidhje”, ka shtuar tutje Dibra.

Ndërsa, Vlora Dumoshi, asambliste e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se gjatë kohës sa ka qenë në qeverisje ka parë se Shtëpia i takon Prishtinës dhe se mënyra si është marrë, sipas saj, është e papranueshme.

“Ne kur kemi qenë në qeverisje, kam parë se ‘Shtëpia e Gurit’ me dokumente i takon Komunës së Prishtinës, gjithmonë është menaxhuar nga Komuna. Tani në mënyrë arbitrare e ka marr Komuna e Shtërpcës, mënyra si është marr është e papranueshme dhe kjo çështje duhet të adresohet”, ka thënë Dumoshi.

Përkundër faktit që komuna e Prishtinës e ka humbur me gjyq këtë aset, NPL ‘Sport Marketing’ vazhdon të publikojë shpallje për dhënie me qera të këtij objekti.

Një shpallje e tillë për herë të fundit është bërë në shtator të vitit 2020.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje edhe nga Komuna e Shtërpcës lidhur me çështjen e kësaj prone, por edhe pas disa ditësh të pritjes nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.