Foto: Rruga Sifteraj-Stubëll/ KALLXO.com

7 muaj pas asfaltimit prishet rruga, Haliti arsyeton ‘arnimin’

Shtatë muaj pasi që ishte prerë shiriti i rrugës e cila lidh fshatrat Skifteraj- Stubëll e Poshtme, kishin filluar edhe arnimet e para për shkak të cilësisë së dobët të asfaltit.

I ftuar në emisionin ‘Jeta në Komunë’, kryetari i Vitisë Sokol Haliti u përball me ‘kritikat’ e asamblistit Nijazi Isaku- Lëvizja Vetëvendosje (LVV), për cilësinë e asfaltit për rrugën Skifteraj- Stubëll, me ç’rast pranoi se ende pa u bërë 7 muaj është prishur rruga.

“Rruga Skifteraj- Stubëll është një teren malorë dhe ka pasur probleme sidomos të ujërat nëntokësorë, sidomos në disa vende ku kanë paralajmëruar sinjalizuesit, kompania nuk i ka rregullu ujërat nëntokësor pasi që s`ka qenë e planifikuar. Është e vërtetë që s`ka zgjatë as 6 muaj, por edhe këtu e kemi kthy kompaninë me riparu”, theksoi Haliti.

Përveç kësaj, në emisionin ‘Jeta në Komunë’ Haliti do të flas edhe për mungesë ujit, kanalizimit, cilësinë e dobët të asfaltit, politizimin e shkollave.

I pari i Vitisë do të ballafaqohet me premtimet e tij të dhëna në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2013 dhe 2017, punën e përfunduara deri më tani në këtë mandat, si dhe punët e mbetura deri në fund të mandatit 4 vjeçar.

Në fund të emisionit, do të shfaqen dy shembuj pozitivë të Vitisë, storia për blegtorin, Feriz Januzaj, e cili ka mbi 1000 dele si dhe shembulli i zhonglerit, Agim  Agushi i cili po sfidon librin në rekordeve në Ginis.

Përveç kryetarit Haliti , prezent në studio do të jenë edhe asamblistët: Bekim Azizi- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Taulant Haxhiu- Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Nijazi Isaku- Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Mirlinda Tishukaj- Sadiku- Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Valbona Haziri- Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ndërsa të kyqur në Zoom do të jetë i kyçur Florim Brahimi nga organizata ‘Euloc’ në Viti.