Prishtina

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

40,38% e familjeve me skema sociale në Prishtinë jetojnë në shtëpi të vjetra, 15% në shtëpi të shkatërruara

Komuna e Prishtinës bëri prezantimin e hulumtimit “Vlerësimi i nevojave të familjeve të skemës sociale”, qëllimi i të cilit është paraqitja e një pasqyre të qartë të gjendjes së familjeve me skema sociale në Prishtinë dhe ndërtimi i politikave për përmirësimin e gjendjes aty ku ka nevojë.

Ky hulumtim është bërë në bashkëpunim me studentë të Fakultetit Filozofik nga Universiteti i Prishtinës.

Trina Mehmeti, psikologe tha se komuna u ka ndihmuar në identifikimin e këtyre familjeve, të cilave u janë dhënë pyetësor të ndryshëm, ku fokus ka qenë gjendja sociale, arsimore e shëndetësore.

“Bashkë me komunën kemi përpiluar dy pyetësorë për familjet që janë me asistencë sociale, njëri i është dhënë kryefamiljarit, tjetri një anëtari nga 16-24 vjeç. Gjithashtu, nga komuna kemi marr të dhëna për gjetjen e këtyre familjeve”, ka thënë Mehmeti.

Premtim Fazliu koordinator në Drejtorinë për Mirëqenie Sociale tha se kanë arritur që hulumtimi të realizohet në 1,114 familje, prej tyre 200 që kanë dal nga skema sociale.

Sipas tij, sa i përket financave, shumica dërmuese prej 80% raportojnë hyra në mes 101 deri 300 euro.

Tutje në hulumtim thuhet se, sa i përket vlerësimit të jashtëm të shtëpisë së familjes, në apartament banesor janë 18,13 %, në shtëpi të re me gjendje të mirë 23,16 %, shtëpi e shkatërruar 15,11 %, shtëpi e vjetër në gjendje relativisht të mirë 40,38 %, akomodim për refugjatë 0,81% dhe tjetër 2,42%.

Në këtë hulumtim tutje është gjetur se prona ku jetojnë në 60.5% të rasteve është i ndonjë anëtari të familjes, 17.7% të afërmve, 13.5% jashtë familjes, 4.8% komunale dhe të tjerë.

Sa i përket borxheve ndaj shërbimeve publike ka rezultuar se 47% raportojnë të kenë borxhe për ujësjellës nga 1 deri në 5,000 euro kurse, 46% raportojnë të kenë borxhe për energji elektrike nga 10 deri në 3,000 euro.

Nga 1,303 të dhëna për anëtarë që vijojnë edukimin të gjitha nivelet, 93.5 %  vijojnë edukimin në institucione publike dhe vetëm 5.81% e vijojnë edukimin në institucionet private.

Sa i përket gjendjes shëndetësore, mbi 50% kanë raportuar se sëmundja më e rëndë që kanë pasur ka qenë ftohja ose gripi, 6% probleme me COVID-19 dhe 4% probleme psikologjike, por në hulumtim thuhet se indikacioni për probleme me shëndetin mendor tek kryefamiljarët mund të jetë deri në 70%.