Komuna vaksinon kafshët e Prishtinës

Komuna e Prishtinës e ka filluar vaksinimin e kafshëve shtëpiake si gjedheve, deleve, dhive dhe qenve me pronarë, që pritet ta përfundojë brenda tri javësh.

Shefi i sektorit të Bujqësisë në kryeqytet, Fexhri Hyseni, ka thënë për Radio Kosovën se në këtë proces të përvitshëm që kryhet nga Komuna e Prishtinës, sivjet pritet të përfshihen mbi 14 mijë kafshë.

Ka filluar vaksinimi i disa llojeve të kafshëve si lopë, dele, dhi dhe qen me pronarë, proces ky i cili pritet të përfundojë brenda tri javëve të ardhshme.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën shefi i sektorit për Bujqësi në Komunën e Prishtinës, Fexhri Hyseni, i cili ka thënë se kjo po bëhet si masë preventive për disa lloje të sëmundjeve të kafshëve.

“Këto kafshë vaksinohen si masë preventive kundër sëmundjes së gjedhit, kundër sëmundjes së këmbëzezës apo siç njihen ndryshe klosteridet, pastaj te qentë kundër sëmundjes së tërbimit, pasi që janë sëmundje që paraqiten dhe mund të kenë pasoja edhe te njerëzit nëse kafshohen.”

Hyseni ka deklaruar se procedura e vaksinimit sivjet ka filluar pak me vonesë te delet dhe dhitë për shkak të festës së Kurban Bajramit, pasi sipas tij, ka pas kërkesa nga fermerët që vaksinimi të mos bëhet në kafshët që do të theren për Bajram.

“Procedura e vaksinimit është duke shkuar si është më së miri. Nuk ka ndonjë telashe. Jemi vonuar pak me këtë proces në raport me vitet e tjera, mirëpo besoj edhe shpresoj se do të përfundojë me sukses.”

Sivjet në Komunën e Prishtinës do të vaksinohen 7 mijë krerë gjedhe, 7 mijë krerë dele dhe dhi, si dhe rreth 600 qen me pronarë