Komuna që udhëhiqet nga AAK-ja porositi produkte serbe

Agjencia Qendrore e Prokurimit kishte shpallur një tender 23.5 milionë eurosh për t’i furnizuar disa institucione të Kosovës me artikuj ushqimor.

E ndër komunat të cilat kanë kërkuar furnizim me artikuj të ndryshëm ushqimor është Komuna e Gjakovës e cila në kërkesat e saj ka të përfshira produkte me origjinë serb për të cilat qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Haradinaj, në nëntor të vitit të kaluar kishte vendosur taksë 100 për qind.

KALLXO.com ka siguruar qasjen në kërkesat që Autoritetet Kontraktuese kishin bërë në AQP për furnizim.

Komuna e Gjakovës e cila udhëhiqet nga Ardian Gjini, ka kërkuar 440 copa “Plazma” apo ekuivalente, nga 150 gramë, 1200 kg “Eurocrem” ose ekuivalente.

 

Përveç këtyre dy produkteve serbe kjo komunë ka porositur edhe disa artikuj tjerë ushqimor me sasi të mëdha si dhe me firmë të specifikuar.

Komuna ka kërkuar 2 mijë e 500 copa Pashteta pule “Argeta” ose ekuivalentë, 2 mijë e 500 kg makarona “Divella” ose ekuivalente, “Vegetë” ose ekuivalent 300 kg, 36 mijë copa veze klasa ‘S’, 10 mijë “Pop Kek ose ekuivalent, 11 mijë e 500 bukë të 500 gramëve dhe 25 mijë bukë të bardha me rriska të 500 gramëve.

Lidhur me këto kërkesa Komuna e Gjakovës, Blerta Qela zyrtare për informim në Komunën e Gjakovës ka thënë për KALLXO.com se deri të premten do të kthejnë përgjigje.

Ndryshe, vendosja e markave të prodhueseve është e ndaluar me nenin 28 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Ndërsa AQP-ja e cila bënë prokurime për të gjitha institucionet, në emërtimin e produkteve që synon t’i blejë ka vendosur marka të prodhuesve të caktuar.

Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike janë edhe artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta” por që pas tyre shkruhet edhe ekuivalentë.

AQP-ja, në arsyetimin e saj, ka thënë se kanë përdorur një shabllon të vitit 2015.

“Për informimin tuaj, ky gabim ka ngel nga Dosjet e vjetra, sepse ketë vit, AQP gjatë  grumbullimit te kërkesave nga AK-se ka përdorur shabllonin e vitit 2015, dhe Zyrtari përgjegjës i prokurimit se bashku me Autoritetet Kontraktuese kane bere lëshim teknik pasi qe nuk kane modifikuar shabllonin ne përputhje me rrethanat”, është thënë në komunikatën e AQP-së.

KALLXO.com, ka shkruar se kjo Agjenci pas reagimit publik është angazhuar për t’i larguar nga lista vetëm prodhimet serbe, siç janë: “Smoki”, “Plazma” dhe “Eurokrem”.

Për vendosjen e shabllonit të vjetër, KALLXO.com, ka marrë vesh se drejtori i përgjithshëm i AQP-së, Behxhet Rukiqi është dërguar në komision disiplinor nga Ministria e Financave.