Komuna e Dragashit. Dragash. 26.05.15, Photo: Atdhe Mulla

Komuna paguan 36 mijë euro për punët e pakryera

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Dragashit ia ka paguar 36 mijë euro kompanisë “Renelual Tahiri”, për kontratën “Asfaltimi i rrugës Krushevë – Zlipotok – projekt 3 vjeçar” edhe pse kjo kompani nuk i ka kryer punët e kontraktuara.

Tek projekti i rrugës “Asfaltimi i rrugës Krushevë – Zlipotok – projekt 3 vjeçar”, Komuna e Dragashit ia ka paguar kompanisë 70 mijë euro duke u bazuar në raportin e pranimit të punimeve të datës 20 dhjetor 2018.  

Brenda kësaj pagese ishin të përfshira edhe pozicionet me nr. 11 – beton i thjesht nën themele ne vlerë prej 1,008 euro, 12 – beton për themelet në vlerë prej 11,228 euro, 13 – beton për muret në vlerë 9,856 euro, 14 – armimi i mureve mbajtëse në vlerë 13,910 euro.

Gjatë ekzaminimit fizik me prezencën edhe të zyrtarëve komunal, Auditori ka konstatuar se punimet për këto pozicione nuk ishin realizuar.  

Vlera totale e këtyre pozicioneve ishte 36,002 euro apo 51% e vlerës totale prej 70 mijë euro që i janë paguar kompanisë “Renelual Tahiri”.

Njoftimi për kontratë për projektin “Asfaltimi i rrugës Krushevë – Zlipotok – projekt 3 vjeçar” është publikuar më 28 shtator 2018.

Kontrata është nënshkruar më 31 tetor 2018 mes Komunës së Dragashit dhe kompanisë fituese “Renelual Tahiri”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 198.049 mijë euro.

Sipas kontratës së nënshkruar, për vitin 2018 do të paguhet deri në realizimin e punëve në vlerë prej 70 mijë euro (financuar nga Komuna e Dragashit). Për vitin 2019 do të paguhet deri në realizimin e punëve në vlerë prej 50 mijë euro (financuar nga Komuna e Dragashit). Dhe për vitin 2020 do të paguhet pjesa tjetër e mbetur sipas kontratës deri në realizim të punimeve prej 78,049 mijë euro.  

Drejtori i kësaj kompanie, Refki Hoxha, ka thënë për Kallxo.com se “Renelual Tahiri” i ka kryer punimet e parapara për shumën e parave për të cilat Auditori ka thënë se i janë dhënë kompanisë.

“Po qysh nuk janë kry punimet, janë kry, por ka pas shembje të dërrasave. Sot shkoni këqyreni, është duke u ndërtu, se ai është projekt tre vjeçar. Një pjesë një vjet, një pjesë një vjet tjetër. Për shumën që ka qenë e parapame është punu. Për ato pare puna është kry. Është duke u punu, se ka pas shi. Se Krusheva është afër Restelicës, kushtet janë të jashtëzakonshme. Tash janë kry gati krejt punimet, e për vitin e tretë nuk kemi gati kurgjo vetëm duhet me i pritë paret për tri vjet qysh i kanë të programume. Ne sivjet e kryejmë, ajo është punë e vogël për firmën tonë”, ka deklaruar Hoxha.

Sipas Auditorit, mangësitë e identifikuara kanë rezultuar me mos respektim të procedurave të prokurimit sipas Udhëzimit Operativ të LPP-së. 

Në raport thuhet se Komuna nuk ka arritur të përmbush objektivat e planifikuara të infrastrukturës në shërbim të taksapaguesve apo kthimin e kundërvlerës për taksen e paguar të qytetarit të Dragashit. Më tej theksohet se zhvillimi i procedurave të prokurimit pa një projekt të hartuar paraprakisht mund të ndikoj që punimet e zbatuara në këto projekte të devijojnë nga kërkesat standarde të ndërtimit dhe të mos arrijnë cilësinë e duhur. 

“Kryetari duhet të sigurojë se të gjitha zotimet e kontraktuara janë duke u realizuar në përpikëri dhe komfor kushteve të parashtruara, duke eliminuar pengesën para hyrjes në marrëveshje kontraktuese. Nëse përjashtimisht paraqitet nevoja për ndërprerje të kontratës duhet të ndiqen procedurat e nevojshme sikurse është paraparë me Ligjet dhe Udhëzimet në fuqi. Gjithashtu duhet të siguroj se hartimi i projekteve ekzekutive i paraprinë inicimit të aktiviteteve të prokurimit te kontratat për punë sipas kërkesave të UA nr. 1/2014”, thuhet në rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.