Komuna e Vushtrrisë - Foto: Facebook

Komuna e Vushtrrisë liron hapësirat publike në sheshin e qytetit

Komuna e Vushtrrisë ka marrë sot vendim që në tërë sheshin e qytetit, nga Parku e deri në fund të sheshit, të bëhet lirimi i hapësirave publike.

Në njoftimin e Komunës thuhet që pas lirimit të hapësirave publike, ato mund të kthehen në shfrytëzim të qytetarëve.

“Konkretisht është marr vendim që të hiqen xhamat që lokalet hoteliere kanë vendosur në hapësirat publike në shesh”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Komuna ka njoftuar se gjatë sezonit të verës do të lejohet vendosja e tavolinave me pagesë para lokaleve hoteliere deri në një hapësirë e cila do të vendoset për secilën kërkesë veç e veç.

Po ashtu, do të lejohet edhe vendosja e mbulesës me litar para lokaleve, por kurrsesi nuk do të lejohet edhe vendosja e shtyllave e as e xhamave në hapësirën publike.

Sipas vendimit, shfrytëzimi i kësaj hapësire me pagesë do të lejohet vetëm deri në mbarim të sezonit e më pas këto hapësira sërish do të lirohen.