Komuna e Shtimes, Facebook

Komuna e Shtimes po përballet me zjarre fushore dhe malore

Njësia Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim (NJPZSH), në Komunën e Shtimes ka njoftuar se po përballet me zjarre të shumta fushore dhe malore.

Sipas njoftimit të komunës, vetëm nga data 3-11 mars janë shfaqur mbi 15 vatra zjarri që kanë djegur shumë hektarë tokë me bimësi të ndryshme.

Komandanti i NJPZSH-së në Shtime, Bajram Gashi ka thënë se, nga të dhënat e para, nuk bëhet fjalë për dukuri natyrore, por sipas tij, shkaktar për zjarret duket se është dora e njeriut.

“Sipas informacioneve që ne kemi, shumica e zjarreve që janë shfaqur kanë qenë të qëllimshme, të shkaktuara nga dora e njeriut. Në përpjekje për të djegur mbeturinat në tokën e tyre, zjarri iu ka dalur jashtë kontrollit duke djegur shumë hektarë tokë dhe pyje. Tash kur jemi në stinën e pranverës dhe temperaturat janë ndjeshëm më të ulëta sesa stina e verës, ne po ndeshemi me një fenomen sa paradoksal, aq edhe kriminal, me zjarret që po përfshijnë tokat bujqësore, pemtaritë, pyjet dhe po rrezikojnë shtëpitë e banuara, duke kërcënuar edhe jetën e qytetarëve”, ka thënë ai.

Gashi ka shtuar se, të dhënat tregojnë për një rritje shqetësuese të zjarreve në këtë periudhë.

“Informacionet tona flasin për zjarr-vënie të qëllimshme, apo zjarrvënie me qëllim krijimin e hapësirave për toka të reja sipas tyre se djegia e tokës sjell pasurimin dhe pjellorinë e saj. Mirëpo përveçse ky është një vendim i gabuar e i paligjshëm që do i kushtojë rëndë kujtdo, që përmes papërgjegjshmërisë apo qëllimit të keq, vë në rrezik të tjerët dhe dëmton pronën publike dhe private, nga të gjitha pikëpamjet, sepse djegia e tokës sjell më shumë dëme sesa të mira.

Sipas një njoftimi të komunës. mbrojtja e pronës është detyrë ligjore dhe morale e gjithsecilit prej nesh si qytetarë të Shtimes dhe sigurisht edhe përgjegjësi e institucioneve dhe strukturave përgjegjëse lokale.

“Qytetarët mund të denoncojnë në kohë, rastet në numrin emergjent pa pagesë 112 të gjithë autorët e këtyre veprimeve kriminale, me pasoja të rënda për jetën njerëzore, pasurinë dhe ambientin”, vijon njoftimi.

NJPZSH-ja në Shtime thërret dhe apelon të gjithë qytetarët që në as një mënyrë mos të hapin zjarre në vende të hapura qoftë edhe në prona private, në përpjekje për të djegur mbeturinat në tokën e tyre.

Po ashtu edhe Policia e Kosovës në Shtime, thuhet se do të bëjë përpjekje për të evidentuar zjarrvënësit e qëllimshëm dhe për t’i vënë ata përpara përgjegjësisë ligjore.