Komuna e Rahovecit me shumë parregullsi në angazhimin e stafit me kontrata mbi vepër

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) Ka gjetur se Komuna e Rahovecit në vitin 2018 kishte lidhur marrëveshje për shërbime të veçanta me 9 punonjës.

Ndërkaq, nga 6 mostrat e audituara ka rezultuar se komuna ka angazhuar dhe paguar këta punonjës në kohëzgjatje mbi gjashtë muaj, përfshirë parregullsitë të tjera.

“Komuna fillimisht kishte përdor bazën e gabuar ligjore duke lidhë kontrata për punë dhe detyra specifike me kohëzgjatje 120 ditë sipas Ligjit të Punës, për angazhimin e stafit civil (si anketues, zyrtar etj) dhe pas përfundimit të këtyre kontratave, ka vazhduar edhe për 6 muaj tjerë me marrëveshje për shërbime të veçanta, bazuar në Ligjin e Shërbimit Civil”, thuhet në raportin e Auditorit.

Një dukuri e tillë sipas menaxherit të personalit ka ndodhur për shkak të keq interpretimeve ligjore.

Por, sipas ZKA-së, Angazhimet e tilla rezultojnë me parregullsi ligjore dhe mungesa e monitorimit, rrit rrezikon që komuna të pranoj si kundërvlerë kontributin, performancën apo shërbimin e duhur nga staf i angazhuar në ketë formë.

“Kryetari duhet të sigurojë se hyrja në marrëveshje për shërbime të veçanta/kontrata për pune specifike bëhet në përputhje të plot me kornizën ligjore dhe koha e angazhimet në këto raste nuk tejkalon afatet e përcaktuar me ligje. Po ashtu kryetari duhet të sigurojë se angazhimet e tilla bëhen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike”, rekomandon Auditorit.

ZKA ka sqaruar me tej, se neni 12 pika 4 e Ligjit për Shërbimin Civil, përcakton se  emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.