Komuna e Prizrenit | Foto: KALLXO.com

Komuna e Prizrenit nuk po i Nxjerr Borxhet

Auditorët në raportin për vitin e kaluar kanë gjetur se Komuna e Prizrenit ka plotësuar vetëm pesë nga 24 rekomandimet e tyre të mëhershme.

Qeverisja e dobët, shumë të hyra të parealizuara, menaxhimi jo i mirë i obligimeve të papaguara, borxheve dhe subvencioneve, janë gjetjet që e nxjerrin këtë komunë të padisiplinuar financiarisht.

Komuna e Prizrenit në vitin 2015 ka realizuar vetëm 64 për qind të të hyrave apo 5.3 milionë euro nga 8.2 milionët e planifikuar, kjo sipas raportit të auditivit ka ardhur si pasojë e mbledhjes së dobët të tatimit në pronë dhe borxheve nga mosinkasimi i qirave për shfrytëzim të pronave komunale.

Auditorët kanë gjetur se “Is-Company” e Ismet Bajraktarit ende shfrytëzon pronën komunale për tregje, edhe pse kontrata i ka skaduar në vitin 2013 me një borxh të papaguar deri në 171 mijë euro

Komuna jo që nuk e kishte ndëshkuar këtë kompani për këtë borxh, por e kishte shpërblyer me kontratë vjetore prej 141 mijë eurove për grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave.

Sipas auditimit, një kompani tjetër “Alcom Construction” edhe pse ka kontratë për shfrytëzimin e pronës komunale me koncesion, as që ishte lodhur të paguajë 14 mijë euro qira në fund të vitit 2015.

Borxh Komunës së Prizrenit prej 92 mijë eurove i ka edhe kompania “Fatoni-AU” për shfrytëzimin e hapësirës së tregut”Bajram Curri”, e një borxh tjetër prej 25 mijë eurove që komuna nuk e ka inkasuar, e ka të grumbulluare nga 21 kontrata të shfrytëzuesve të hapësirave publike.

Borxhet totale të pa papaguara ndaj Komunës së Prizrenit, të grumbulluara prej vitit në vit sipas raportit të auditimit në fund të vitit 2015 kanë arritur shumën në vlerë prej 14 milionë euro, 6.3 nga të cilët nga tatimi në ponë, 5.4 milionë euro nga taksat e veprimtarive të biznesit, 409 mijë euro nga mosinkasimi i qirave, kurse si shqetësues është mosarkëtimi i borxhit prej 1.2 milionëve euro për shërbimet e mbledhjes së mbeturinave.

Komuna e drejtuar nga Ramadan Muja nuk është e dobët sipas auditorit vetëm në menaxhimin e të hyrave por edhe në fushën e prokurimit publik, shpenzimeve komunale dhe një sërë kontratash.

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prizrenit nuk i kishte ofruar auditorit raporte të mirëfillta për shpenzimet e organizimit të manifestimit të “Javës së Remzi Ademajt” për pagesat e kryera në vlerë prej 10 mijë dhe 7 mijë euro.

Për keqpërdorimin e këtij manifestimi gjatë pesë vjetëve, drejtori i Arsimit Nexhat Çoçaj u dënua me 3 vjet burg të hënën, ndërsa dy mësimdhënësit e akuzuar bashkë me të morën dënime prej 14 dhe 6 muaj.

Skandaloze: Ja Për Çka Akuzohet Nexhat Çoçaj në Aktakuzën e Re

Auditori ka gjetur shkelje edhe në kontratat tjera.

Për ndërtimin e objektit të shkollës fillore “Bajram Curri” të Hasit në vlerë prej 193 mijë eurove ishte shpërblyer kompania e cila do ta instalonte rrymën elektrike me çmim zero, një çmim i tillë sipas Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik është i papranueshëm dhe tenderi është dashur të anulohej.

Tenderi tjetër me shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik i Komunës së Prizrenit ishte furnizimi me derivate me fitim për premium 0,00001 euro, e në implementim të saj auditori kishte evidentuar se kompania nuk iu kishte përmbajtur këtij çmimi.

Komuna e Prizrenit sipas raportit të auditorit ka paguar pa u kryer punët për ndërtimin e shtëpisë së Kulturës në Zhur, ndërsa kjo shtëpi nuk është ndërtuar, edhe pse kompanisë i ishin paguar 52 nijë euro në vitin 2012 në emër të një aneks-kontrate për punë shtesë. Kompania pretendon se nuk janë kryer të gjitha pagesat.

Në këtë komunë personat e caktuar në borde që njëherësh janë edhe drejtorë të departamenteve komunale janë paguar 1 mijë e 400 euro, e një gjë e tillë paraqet shkelje ligjore. Mbledhjet e bordeve gjithashtu ishin mbajtur gjatë orarit të punës kur ata drejtorë është dashur të jenë në vendin e tyre të përhershëm të punës.

Si traditë e shumicës së komunave është bërë punësimi me kontrata mbi vepër, kategori e punëtorëve që pagat u paguhen nga mallrat dhe shërbimet, e edhe Komuna e Prizrenit ka 12 persona të punësuar me kontrata mbi vepër më shumë se 6 muaj.

Zyrtarët e komunës kishin shpërblyer veten me dhurata për festën e Vitit të Ri në vlerë prej 4 mijë eurove, që është në kundërshtim me ligjin e buxhetit sipas të cilit dhuratat janë të ndaluara.

Komuna e Prizrenit sipas raportit të auditorit ka shpenzuar 87 për qind të buxhetit apo 36.3 milionë euro nga 41.9 milionë euro sa ka planifikuar, ku pjesa më e madhe ka shkuar për paga dhe mëditje apo 18.2 milionë euro, investime kapitale 14.5 milionë euro dhe mallra e shërbime 2.5 milionë euro.

Edhe vitin e kaluar raporti i auditimit kishte gjetur shumë shkelje në Komunën e Prizrenit.

Raporti i Auditimit Gjen Shumë Shkelje Në Komunën e Prizrenit