Komuna e Prishtinës nis evidentimin e qytetarëve me kushte të rënda banimi

Komuna e Prishtinës përmes një komunikate ka ftuar qytetarët me kushte të rënda ekonomike dhe vështirësi banimi që të lajmërohen në komunë.

Kjo ftesë vjen pasi Komuna e Prishtinës ka formuar task forcën për evidentimin e shtëpive me rrezikshmëri të banimit.

Drejtori për Mirëqenie Sociale, Dren Kukaj e ka bërë të ditur përmes një publikimi në llogarinë e tij në Facebook.

“ Të gjithë qytetarët në kushte të rënda ekonomike dhe të cilët jetojnë në shtëpi të pasigurta për banim të paraqiten në sportelet e Komunës së Prishtinës apo të thërrasin numrat emergjent 0800 122 33 dhe 0800 122 44. Drejtoria për Mirëqenie Sociale në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike ka formuar një task forcë, e cila shërben për ta bërë evidentimin e shtëpive me rrezikshmëri të banimit. Kjo task forcë krahas evidentimit të pasigurisë në banim, bën edhe konstatimin e gjendjes së rrezikshmërisë (që është një nga kriteret) për subvencionimin e qirasë”, ka shkruar Kukaj.

Komuna e Prishtinës është shprehur e gatshme se nëse hapësirat e banimit janë në rrezik, do të paguajnë qiranë e banimit.