Foto: Komuna e Podujevës

Komuna e Podujevës ndihmon 35 fermerë të dredhëzes industriale

Komuna e Podujevës ka vazhduar programin e mbështetjes së fermerëve me subvencione duke bërë shpërndarjen e infrastrukturës komplete për 35 fermerë për kultivimin e dredhëzës industrial.

Në njoftimin e kësaj komuna thuhet se ky projekt është realizuar në bashkëpunim me USAID-n.

Me këtë rast Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, i shoqëruar nga drejtori i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi, ka bërë shpërndarjen e folisë së zezë dhe sistemit të ujitjes për 35 fermerë përfitues nga ky projekt.

“Realizimi i këtij projekti po bëhet bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit që muaj më parë e kemi arritur me USAID-in. Ndërsa ne po e përmbushim pjesën tonë të mbështetjes për 35 fermerë, duke iu dhuruar me komplet infrastrukturën e nevojshme për kultivimin e dredhëzës industriale”, ka thënë  Kryetari Veliu.

Foto: Komuna e Podujevës

Ai gjithashtu ka vlerësuar se komuna e drejtuar nga ai  po përmbyllë  një vit të suksesshëm sa i përket mbështetjes së bujqve dhe fermerëve llapjanë dhe premtoi rritje të subvencioneve për vitin 2019.

Ndërsa drejtori i Bujqësisë, Vezir Januzi, ka premtuar vazhdimin e mbështetjes për kultivuesit e dredhëzës industriale.

Foto: Komuna e Podujevës