Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri - Foto: ATDHE MULLA

Komuna e Pejës Lë Studentët Pa Bursa

Një ndër premtimet e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ishte edhe ndarja e bursave komunale për studentë.

Por, në vitin e tretë të qeverisjes, Muhaxheri i ka ndalur bursat për studentët e kësaj komune.

Mungesa e buxhetit është arsyetimi i Komunës së Pejës për mosndarje të bursave për studentët e kësaj komune për vitin 2016.

Deri në vitin 2016, Komuna e Pejës ka bërë ndarjen e bursave përmes rregullores së veçantë për bursa.

Komuna e Pejës në shkurt të vitit 2015, e kishte iniciuar ndryshimin e rregullores për ndarjen e bursave. Tentimi i parë i Komunës së Pejës për të kaluar këtë rregullore në Kuvend Komunal kishte dështuar.

Drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, fillimisht ka thënë se ndalja e bursave për studentë është bërë për shkak të mungesës së buxhetit.

“Jemi në përgatitje. Vitin 2014 dhe 2015 kemi shpërndarë bursa. Për vitin 2016 nuk ka pasur buxhet nga subvencionet e Komunës”, tha Avdimetaj.

Tha se në vitin 2017, bursat do të ndahen bazuar në rregulloren e re për subvencione.

Rregullorja e re për ndarjen e subvencioneve në komunën e Pejës, e miratuar më 31 janar të vitit 2017, është e përgjithshme, ku përfshihen të gjitha llojet dhe kushtet për ndarjen e subvencioneve. Ndërsa, ndarja e bursave komunale rregullohet me dy nene: Neni nr.14 Subvencionet për arsim dhe Neni nr. 15 Kriteret dhe dokumentet që nevojiten për ndarjen e bursave.

Drejtori i Arsimit fillimisht nuk ishte i sigurt nëse do të ketë bursa për vitin 2017.

“Për vitin 2017 shpresojmë se do të japim bursa”, tha Avdimetaj.

E pas disa ditësh, kur është kontaktuar Avdimetaj ka ndryshuar qëndrim. Tha se ka bërë kërkesë te kryetari që 12 studentëve të mjekësisë t’u ndahen bursa për vitin 2016.

“Është tek kryetari kërkesa për 2016-shin. Janë gjithsej 12 bursistë të Fakultetit të Mjekësisë. Tash e kam dërgu për me bo pagesën e vitit të kaluar”, tha ai.

Madje ai tha se i takon kryetarit të marrë vendime për subvencione.

“Tash e kam dërgu, kryetari ka dhënë leje se ato janë subvencione të kryetarit, nuk janë të Drejtoratit të Arsimit edhe kryhet ajo procedurë, domethënë për tanë vitin i marrin mjetet ata bursistë që e kanë fitu të drejtën për me marrë bursën”, tha drejtori i Arsimit.

Ndërkohë, më herët edhe zëdhënësi i Komunës së Pejës kishte thënë se ndalja e bursave ishte bërë për shkak të mungesës së buxhetit.

“Problemi ka qenë se nuk ka pasur mjete të mjaftueshme. Rregullorja nuk thotë që patjetër duhet me pasë bursa. Se a do të ketë apo jo bursa, varet prej kapaciteteve financiare të komunës”, tha zëdhënësi i Komunës së Pejës, Engelbert Zefaj.

Zëdhënësi tutje ka shpjeguar se buxheti për subvencione ka qenë 260 mijë euro.

“Komuna e Pejës i ka pasur dikund rreth 260 mijë euro për subvencione. 100 mijë euro kanë shku për kulturë, rini dhe sport. 100 mijë euro kanë shku për raste sociale me karakter humanitar, social edhe për pjesëmarrje në investime të përbashkëta të komunës, edhe 60 mijë euro kanë shku për projekte bujqësore, për projekte të ndryshme për me ndihmu zhvillimin ekonomik të komunës”, tha zëdhënësi i Komunës së Pejës.

Ndalja e bursave për studentë për zëdhënësin nuk do të thotë se qeveria nuk i konsideron prioritet përkrahjen e studentëve.

“Nuk është çështje e prioriteteve midis kategorive shoqërore. Si qeverisje i kemi rritur shumëfish shpenzimet për shkolla ku mësojnë nxënësit dhe studentët, jemi të përkushtuar që së pari t’i përmirësojmë kushtet për mësim nëpër shkolla. Komuna i ka zvogëlu shpenzimet për subvencione dhe i ka rritë ato për investime”, tha Zefaj.

Asamblisti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nazmi Krasniqi e ka një teori tjetër për ndaljen e subvencioneve. Thotë se koalicioni LDK-PDK qëllimisht nuk e kanë miratuar rregulloren e re për të pasur si alibi me rastin e ndaljes së bursave për studentë.

“Kjo nënkupton që kryetari nuk ka dashur t’i ndajë bursat”, tha Krasniqi.

Sipas rregullores së vjetër, kriteret me të cilat zgjidheshin nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët ishin këto: lëmia apo fusha që studiohet, suksesi në mësime dhe gjendja ekonomike-financiare e familjes.

D.G. studente e Departamentit të Kimisë në UP, ka qenë bursiste që nga viti i parë i studimeve, por vitin e fundit nuk i është ndarë bursa, pavarësisht se ka dërguar notat si dëshmi. Ajo thotë se Komuna e ka shkelur kontratën që ka me studentë.

“Duke e pasur parasysh që kemi pasë kontratë me Komunën për të gjitha vitet e studimeve dhe duke e ditë që e meritoj një gjë të tillë kam shpresu që e marr”, tha D.G.

Ajo tha se Komuna e Pejës i kishte thënë se shumë shpejt do të ndahen mjetet për bursa.

“Po kemi kontaktu, më kanë thënë që emrat janë dërgu në sektorin e financave dhe se pritet që të ndahen sa më shpejt bursat, por kjo sa më shpejt e tyre e ka një vit”, tha D.G.

Asambilsti i AAK-së, Nazmi Krasniqi thotë se mungesa e mjeteve financiare ka qenë arsyetim te studentët, por e cila nuk qëndron.

“Ata e kanë gjetur si arsyetim tek studentët që nuk është aprovuar rregullorja e re e nuk kanë mujtë me i nda, por nuk ka qenë ajo fare, se nuk kanë dashtë me nda ose s’kanë pasë, mirëpo nuk është që nuk kanë pasur edhe nëse thonë ashtu nuk qëndron ajo. Arsyeja ka qenë se s’kanë dashtë me ju nda bursa të rinjve, edhe atyre që kanë qenë duke i marr ua kanë vonu, pas dy vjetëve ua kanë nda”, tha Krasniqi.