Komuna e Pejës largon pemët shumëvjeçare nga qendra e qytetit

Në qendrën e qytetit të Pejës ka filluar largimi i pemëve që atë pjesë e kanë bërë ambient me mjaftë gjelbërim. Shumë qytetarë janë shprehur kundër këtij vendimi të komunës duke reaguar në rrjete sociale.

Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Pejës Durim Sheremeti thotë për KALLXO.com se kjo po ndodhë për shkak se është duke u implementuar projekti i qendrës së qytetit.

“Është duke u vënë kanalizimi i ri, dhe ujësjellës i ri për ujë të pijshëm, si dhe pastaj do të vendoset kubëzimi, gjelbërimi dhe ndriçimi i hapësirave publike”, tha Sheremeti.

Sheremeti thotë se ata pretendojnë të sjellin pemë të reja. Sipas tij ato që janë hequr, kanë qenë pengesë e punimeve për vendosjen e kanalizimit të ri dhe ujësjellësit të ri.

“Pemët që janë hequr, do të zëvendësohen gjithsesi. Nuk është duke ndodhur shpyllëzim, pemët që është dashur të largohen për shkak të punimeve nëntokë, pasi të përfundohen këto punime, do të rivendosen duke u mbjellë pemët e reja. Peja është qytet i gjelbërimit, dhe ashtu ka me qenë gjithmonë”, tha ai.

Asamblisti i Kuvendit Komunal të Pejës Reshat Nurboja ka reaguar duke thënë se prerja e drunjve është e papranueshme.

“Nuk e di a ka ndonjë njeri, parti, institucion apo qeveri që do të ndalon ketë krim të prerjes së drunjëve. Dua të shpresoj se mjetet e informimit publik, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ajo e Infrastrukturës, Policia, Prokuroria nuk do të vazhdojnë të heshtin e të lejojnë vazhdimin e ketij krimi ndaj ambientit, parqeve e qytetit të Pejës nga një njeri, pa projekt, pa plan, pa diskutim publik, pa aprovim në drejtoritë e institucionet kompetente e përgjegjëse të komunës”, kishte shkruar ai në rrjetin social Facebook.

KALLXO.com ka njoftuar se sheshit kryesor të Pejës do t’i zëvendësohet mermeri me kalldërm.

https://kallxo.com/hiqet-mermeri-sheshi-kryesor-i-pejes-shtrohet-me-kalldrem/

.