Komuna e Obiliqit punësoi 34 persona me kontratë mbi vepër

Komuna e Obiliqit ka angazhuar 34 persona me kontrata mbi vepër në vitin 2018. Angazhimi i tyre ishte bërë përmes procedurave të thjeshtëzuara të rekrutimit. Kjo është një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, e cila ka filluar të publikojë raportet e auditimit për vitin 2018/2019.

Nga nëntë rastet e testuara nga Auditori, në katër prej tyre, këta persona kanë qenë të angazhuar në pozita të rregullta të punës. Sipas raportit të auditimit, të njëjtit persona kryenin detyrat e tyre përmes këtyre kontratave edhe në vitin paraprak. Ky staf ishte angazhuar në pozita të ndryshme, zyrtarë transporti, lektorë, mirëmbajtës, etj.

Sipas Komunës së Obiliqit, kjo ishte pasojë e mungesës së pozitave të aprovuara në planifikimin e buxhetit.

“Kryetari, duhet të sigurojë se punonjësit me kontrata për shërbime të veçanta të angazhohen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike. Për të gjitha pozitat e rregullta të punës duhet të sigurohet se buxhetohen nga kategoria e pagave dhe mëditjeve si dhe paguhen nga sistemi i pagave”, theksohet në rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Përveç kësaj, Komuna e Obiliqit ka punësuar një mësimdhënëse në shkollën “Naim Frashëri” në fshatin Breznicë edhe pse ajo nuk e kishte të përfunduar fakultetin.

Në raportin e Auditimit të Pasqyrave Financiare të Obiliqit për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2018, thuhet se sipas Udhëzimit Administrativ “Për normativin mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm”, Institucionet edukative dhe arsimore gjatë publikimit të konkurseve për vendet e lira të punës, për arsimin fillor kërkohet Fakulteti i Edukimit- programi fillor ose Fakulteti i Mësuesisë.

Auditori gjithashtu ka evidentuar se në konkursin për dy mësues klase në SHFMU “Fazli Grajqevci” kishin aplikuar 15 kandidatë, ndërsa komisioni kishte përfshirë në listë të ngushtë tre prej tyre, për të cilët nuk kishin dëshmi rreth përzgjedhjes së tyre.

Në gjetjen e Auditorit thuhet se jashtë listës së ngushtë kishin mbetur kandidatë me më shumë përvojë pune.

Sipas zyrtarëve nga Drejtoria e Komunale e Arsimit (DKA), për listën e ngushtë iu kishte dhënë përparësi banorëve të Komunës së Obiliqit, bazuar në Ligjin për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit, edhe pse ky kriter nuk ishte paraqitur në konkurs.

Në fund, Komuna e Obiliqit kishin vendosur që deri në përfundim të vitit shkollor ta angazhojnë një kandidatë pa fakultet.

“Kryetari të sigurojë se janë dizajnuar kontrollet e duhura në mënyrë që rekrutimet të behën përmes një procesi transparent, konkurrues dhe në pajtim me kërkesat ligjore. Në rastet kur ka deficit të burimeve njerëzore, kjo duhet të konsultohet me organet përkatëse qendrore (ministrinë përkatëse) dhe rastet e tilla të rregullohen përmes bazës rregullative”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.