Flamuri te produktet në market- Foto: KALLXO.com

 Komuna e Mitrovicës kërkon nga marketet që të vendosin flamurin e origjinës së produktit

Pas raportimit në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ dhe në KALLXO.com, për mos respektimin nga marketet  të Udhëzimit Administrativ që kërkon vendosjen e flamujve sipas origjinës së produktit nëpër markete, Komuna e Mitrovicës është e para që ka reflektuar dhe ka urdhëruar bizneset afariste në këtë komunë që të vendosin këta flamuj.

“Drejtoria e Inspeksionit pranë Komunës së Mitrovicës, njofton të gjitha subjektet afariste se duke u bazuar në ligjin ‘Për Inspektoriatin e Tregut’, ligjin ‘Për Mbrojtjen e Konsumatorit’ dhe Udhëzimin Administrativ Nr 20/2018, kërkon nga bizneset të cilat afarojnë në Komunën e Mitrovicës që të vendosin flamurin e origjinës të produktit sipas Udhëzimit Administrativ nr 20/2018”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.

Sipas këtij njoftimi, në rast se nuk zbatohen dispozitat e cekura, Drejtoria për Inspekcion do të jetë e obliguar të shqiptoj masa ndërshkuese konform ligjeve dhe do të ndërmerr masa ligjore duke ndaluar zhvillimin e veprimtarisë të biznesit, deri në eliminimin e parregullsive në tërësi. Afati për mënjanimin e parregullsive është deri më 25 janar të këtij viti.

Më 26 dhjetor, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, kishte nënshkruar Udhëzimin Administrativ që urdhëron marketet të vendosin flamuj sipas origjinës së produktit, duke përfshirë edhe të Kosovës.

https://kallxo.com/pse-po-mungojne-flamujt-e-origjines-se-produktit-ne-marketet-e-kosoves/