Foto: KALLXO.com

Komuna e Mamushës në pushim deri në mesditë

Zyrtarët e komunës së Mamushës e kanë vazhduar festën e Bajramit edhe për fillimin e ditës së mërkurë.

KALLXO.com ka mësuar se Komuna nuk është duke punuar as sot – një ditë pas festës zyrtare.

Abdulhadi Krasnic, kryetari i kësaj komune, gjatë një bisede për KALLXO.com, pati disa arsyetime lidhur me mos punën e komunarëve të tij.

“Për momentin nuk është tu punu Komuna, vetëm për sot është kështu. Kemi pas do raste qashtu që pak njerëz janë kanë edhe për qata. Pas orës 12 do të fillojë puna, ka pas problem të sistemit brenda objektit të komunës dhe janë tu e rregullu”, u shpreh ai.

Megjithatë, kryetari mohoi se ka pushim në tjera institucione.

“Shkollat dhe ambulantat janë në funksion”, tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e Arsimit, Cafer Morina.

Ai tha së në shkolla është duke u zhvilluar procesi mësimor. “Mësimi është tu u mbajt, unë jam në pushim”, u përgjigj shkurt Morina.

Sipas kalendarit të festave zyrtare në Kosovë për këtë vit, pushim ishte vetëm 4 qershori për Fiter Bajramin apo Bajramin e Madh.