Komuna e Malishevës i mbulon shpenzimet e varrimit

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë, mulla Xhevat Kryeziu kanë nënshkruar marrëveshjen për mbulimin e shpenzimeve për shërbimin e varrimit për të vdekurit, të cilët varrosen në territorin e kësaj komune.

Kostoja e përgjithshme e marrëveshjes për një shërbim mortor është 230 euro, të cilat mbulohen me mjete buxhetore të Komunës së Malishevës.

Mbulimi i shpenzimeve për shërbimet e varrimit, sipas kësaj marrëveshjeje, në asnjë mënyrë nuk ndërlidhet me pagesën e anëtarësisë ndaj Bashkësisë Islame, çështje e cila edhe më tutje mbetet në raportet e deritanishme të qytetarëve me Bashkësinë Islame.

Kuvendi i Komunës së Malishevës gëzon të drejtën e shkëputjes së njëanshme të marrëveshjes nëse Këshilli i Bashkësisë Islame nuk përmbush obligimet e veta sipas nenit 2 dhe 5 të kësaj marrëveshjeje.