Komuna e Lipjanit mbjellë vetëm 10 fidanë për pesë muaj

Komuna e Lipjanit gjatë këtyre pesë muajve të vitit 2019 ka mbjell vetëm 10 drunjë dekorativ dhe 500 copë lule sezonale.

Ndërkaq, në vitin e kaluar janë rregulluar dy parqe në qytetin e Lipjanit.

Zyrtarja për Komunikim me Publikun në këtë komunë, Bukurie Zejnullahu – Jashari, ka bërë të ditur për KALLXO.com, se në dy parqet në fjalë janë mbjell 512 fidanë.

“Komuna e Lipjanit gjatë vitit 2018 ka rregulluar dy parqe në qytetin e Lipjanit. Në këto dy parqe janë mbjell gjithsej 512 fidanë (plep), me infrastrukturë përcjellëse. Ndërsa kompania punëkryese e kontraktuar nga Komuna e Lipjanit është EING-COM”, thuhet në përgjigjen e saj.

Sipas zyrtares komunale, kompania në fjalë posedon kontratë dy vjeçare për garantimin e cilësisë së fidanëve ku në rast tharje, obligohet të bëj edhe zëvendësimin e tyre.

Komuna e Lipjanit ka njoftuar se në bashkëpunim me GIZ, në kuadër të aktiviteteve mjedisore –  “Dita e Tokës”, gjatë dy viteve të fundit ka mbjell fidanë dhe lule në hapësira të ndryshme të qytetit.

“Gjatë vitit 2018: Furnizim dhe kultivim i luleve sezonale – 500 copë, furnizim dhe mbjellje e 10 drunjëve  dekorativ, furnizim dhe mbjellje  40 fidane – mollë. Gjatë  vitit 2019: Furnizim dhe kultivim i  luleve sezonale  500 copë, furnizim dhe mbjellje  10 drunjë dekorativ. Këta fidanë janë mbjell në qytetin e Lipjanit duke i përfshire shkollat si dhe institucionet tjera komunale”, thuhet në përzgjigjen e Zejnullahu – Jashari  për KALLXO.com.

Në kontratën e siguruar nga KALLXO.com, të Komunës së Lipjanit me kompaninë “EING COM”, e nënshkruar me 3 tetor 2018, është paraparë shpenzimi i 105 mijë e  827 eurove.

“Rregullimi i hapësirës publike në rrugën ‘Avdi Kelmendi’ (Parku i Labidarit nga Lufta e Dytë Botërore) dhe rregullimi i hapësirës publike (parkut) në rrugën ‘Haredin Bajrami’ tek rrethrrotumi për Magurë”, ishin punët e parapara të kryhen nga ana e kontaktuesit, thuhet në kontratë.

Imri Ahmeti (LDK) është kryetar i Komunës së Lipjanit në mandatin e dytë aktualisht.

KALLXO.com ka raportuar për mbjelljen e fidanëve edhe në Komunën e Pejës dhe atë të Podujevës.