Komuna e Lipjanit - Foto: Facebook / Komuna e Lipjanit

Komuna e Lipjanit dënon aktin e dëmtimit të varrezave ortodokse në këtë qytet

Këshilli i Drejtorëve të Komunës së Lipjanit, i udhëhequr nga kryetari, Imri Ahmeti, kanë dënuar aktin e dëmtimit të varreve në varrezat ortodokse serbe në Lipjan.

Zëdhënësi i Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se Këshilli i Drejtorëve ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të zhvillojnë hetime intensive ndaj personave të cilët kanë bërë një akt të tillë dhe të ndërmerren masa ndaj tyre.

“Komuna e Lipjanit dënon fuqishëm këtë rast dhe kërkon nga organet kompetente që të zbardhin këtë rast se si janë dëmtuar varrezat dhe të zbulojnë kryesit eventual të këtyre veprimeve vandale e t’i nxjerrin ata para drejtësisë.

Varret janë të shenjta për anëtarët e familjes dhe komunitetet në përgjithësi”, thuhet në përgjigje.

Policia e Kosovës, një ditë më parë në raportin 24 orësh ka njoftuar për dëmtimin e disa varrezave ortodokse serbe në qytetin e Lipjanit.

Sipas PK-së, në rrugën “Avdi Kelmendi“ në Lipjan me datë 13 korrik 2019 rreth orës 2:25, është raportuar se nga persona të panjohur janë dëmtuar disa gurë të varrezave ortodokse serbe.

Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), i cili e ka dënuar veprimin.

https://kallxo.com/unmik-u-reagon-per-demtimin-e-varrezave-ortodokse-serbe-ne-lipjan/

Edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka dënuar këtë akt.

https://kallxo.com/reagon-osbe-ja-ndaj-perdhosjes-se-varrezave-serbe-ne-lipjan/

www.kallxo.com