Komuna e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Komuna e Gjakovës: Votat për Kullën e Sulejman Vokshit u numëruan gabimisht

Komuna e Gjakovës ka dalë me një sqarim që thotë se gjatë numërimit  të votave për ndryshimin e vendimit për Shpallje të Interesit Publik të Monumentit Kulturor dhe Historik ‘Kulla e Sulejman Vokshit’, ka qenë gabim dhe se i njëjti vendim nuk ka kaluar.

Në momentin e numërimit të votave kryesuesi Anton Shala thotë se 16 vota janë pro, 15 kundër dhe një abstenim dhe pika e rendit kalon.

Por, më vonë gjatë ditës, Komuna ka reaguar duke treguar se pas verifikimit të video-incizimeve të mbledhjes, del se votat u numëruan gabim.

“Fillimisht, me propozim të kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, është shqyrtuar ndryshimi i vendimit të Kuvendit të Komunës nr. 01-011-78935/2015 i datës 27.10.2015 i cili kishte të bënte me Shpalljen e Interesit Publik të Monumentit Kulturor dhe Historik “Kulla e Sulejman Vokshit”. Derisa gjatë mbledhjes së Asamblesë Komunale është theksuar se vendimi ka kaluar, mirëpo pas sugjerimit, sekretaria e Kuvendit ka verifikuar nga video-incizimet e mbledhjes, se votimi ka qenë kështu: 16 kundër, 15 për, 1 abstenim, kështu që u vërtetua që kjo pikë e rendit të ditës nuk kalon’’, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjakovës.

Ndërsa ndaj këtij gabimi ka reaguar edhe partia Alternativa në Gjakovë, duke akuzuar Kuvendin Komunal se i ka numëruar qëllimshëm gabim votat e asamblistëve dhe se kryesuesi Anton Shala ka keqpërdorur votat.

https://kallxo.com/kuvendi-i-gjakoves-voton-per-ndryshimin-e-vendimit-per-kullen-e-sulejman-vokshit/?fbclid=IwAR30z3QZiFeMkyXSucSccG-1Yqe9-8EsC3ANHefsSNNxYBTGRwIJVU957i8

www.kallxo.com