Agim Aliu, PDK, Ferizaj. Foto: Atdhe Mulla

Komuna e Ferizajt punëson 22 persona me kontratë mbi vepër

Komuna e Ferizajt i ka punësuar 22 punëtorë për kryerjen e “shërbimeve të veçanta”. Punësimi i tyre është bërë duke përjashtuar procedurat e rregullta të rekrutimit.

I kontaktuar nga KALLXO.com për këto punësime kryetari i komunës, Agim Aliu, ka thënë se nuk janë tamam ‘kontrata mbi vepër’, por janë më shumë shërbime konsulente.

“Nuk janë kontrata tipike në vepër dhe është e saktë ajo që e thatë ju. Këto nuk janë kontrata mbi vepër, këto janë shërbime të tjera, shërbime të veçanta, nuk janë kontrata klasike. Është e vërtetë që kam thënë se nuk do të ketë punëtorë me kontrata mbi vepër”, tha ai për KALLXO.com.

Komuna e Ferizajt nuk është përgjigjur në pyetjet specifike për këto punësime, por e ka dërguar listën me të punësuar për shërbime të veçanta.

Në mesin e të punësuarve janë edhe 10 aktorë dhe një zyrtar për ndriçim në teatër të cilët kanë nisur punën nga data 1 qershor dhe do të vazhdojnë të punojnë deri me datën 30 nëntor.

Në mesin e të punësuarve janë edhe katër që janë punësuar në administratën e përgjithshme. Dy do të jenë zyrtar të ofiqarisë, një përkthyes të gjuhës angleze dhe një mirëmbajtës teknik.

Janë punësuar edhe dy inspektorë, njëri komunal e tjetri i tregut. Në këtë konkurs janë punësuar edhe dy roje të pyllit dhe një teknik i pylltarisë.

Tre të tjerë janë punësuar në urbanizëm, në mesin e tyre dy arkitektë dhe një inxhinier i ndërtimtarisë.