Komuna e Drenasit mbyllë shkollën fillore, MASHT e quan vendim të gabueshëm

116 nxënës nuk e kanë filluar procesin mësimor në shkollën ‘Shotë Galica’ në fshatin Abri e Epërm të komunës së Drenasit, për shkak të mbylljes së objektit shkollor nga komuna.

Vendimin e DKA-së për mbylljen e kësaj shkolle e ka kundërshtuar Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i cili megjithatë theksoi se komunat janë kompetente për këto vendime.

Prindërit e nxënësve janë ankuar në MASHT, ndaj vendimit të Komunës së Drenasit për mbylljen e shkollave, me arsyetimin se nuk ka numër të mjaftueshëm të nxënësve dhe as mundësi buxhetore për të funksionuar këto shkolla.

Hetem Mulliqi, prindi i njërit nga nxënësit të kësaj shkolle, për KALLXO.com ka shprehur shqetësimin, që sipas tij vendimi për mbylljen e shkollës në fshatin Abri e Epërme është i papranueshëm.

“Arsyetim i mbylljes se kësaj shkolle është mungesa e buxhetit, por nga ato që shqyrtuam me buxhetin jemi rregull, ky është vendim më shumë politik sesa financiar. Vendimi për mbylljen e shkollës me 116 nxënës është politik se nuk ka lidhje me financë”, tha ai.

“Prindërit e fëmijëve në shenjë proteste, së bashku me fëmijët, po shkojnë në oborrin e shkollës për çdo ditë por mësim nuk mbahet, arsimtaret nuk vin”, shtoi prindi.

Në anën tjetër, Komuna e Drenasit e ka arsyetuar vendimin për mbylljen e shkollës.

Zëdhënësin e Komunës së Drenasit, Bekim Dobra tha për KALLXO.com se vendim është marrë për shkak të mos kapacitetit për t’i mbuluar pagat e mësimdhënësve.

“Shkolla ‘Shotë Galica’ nuk është mbyllur, por paralelet janë ndarë, pasi që nxënësit do të dërgohen në shkollën amë. Ky vendim ka ardhur për shkak se Komuna e Drenasit nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm për të furnizuar me paga mësimdhënësit, dhe kemi pasur ankesa nga Auditori për pagesa jashtë listës”, ka thënë Dobra për KALLXO.com

Përmes një komunikate për media, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi e ka quajtur të gabueshëm dhe të pabazë vendimin për mbylljen e shkollave në Drenas.

Ai ka thënë se MAShT do t’i dërgojë shkresë Komunës së Drenasit me shpresën se kjo kërkesë do të shqyrtohet dhe nxënësit do të kthehen në shkollën e tyre.

“Të shqetësuar me këtë vendim të Komunës, prindërit njoftuan se paralelja e ndarë e shkollës “Shote Galica”, e cila nuk i ka hapur dyert për nxënësit e saj më 3 shtator, numëron 116 nxënës nga klasa e parë deri në klasën e tetë. Ata shprehën shqetësimin e të gjithë prindërve dhe kërkuan ndihmën e MAShT që kjo shkollë të rihapë dyert, pra të anulohet vendimi dhe të fillojë puna”, thuhet në njoftimin e Bytyqit.