Komuna e Drenasit kontrollon shkollat për ngrohje

Komuna e Drenasit ka njoftuar se ka vizituar të gjitha shkollat në Drenas dhe janë njoftuar për së afërmi nga drejtuesit e shkollave për mungesën e lëndës djegëse (dru).

Sipas një njoftimi të komunës, të gjitha institucionet arsimore në Drenas kanë ngrohje.

“DKA-ja në Drenas, Drejtori Tafil Halilaj me stafin e Drejtorisë, kanë vizituar të gjitha shkollat në Drenas dhe janë njoftuar për së afërmi nga drejtues të shkollave për mungesën e lëndës djegëse. Mirëpo në asnjë prej institucioneve nuk ka munguar ngrohja, të gjitha shkollat kanë pasur ngrohje, përjashtimisht ditën e hënë me datë 19.11.2018, SHFMU “Rasim Kiqina” nuk ka pasur ngrohje. Por DKA-ja ka intervenuar dhe të nesërmen ka siguruar lëndën djegëse në këtë shkollë si dhe për të gjitha ato shkolla që kanë pasur sasi të vogla të lëndës djegëse”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunë së Drenasit, problemi për të furnizuar të gjitha institucionet arsimore me lëndë djegëse nuk qëndron te DKA-ja, por sipas tyre tek vendimi i vonuar i MASHT-it për ndalimin e thëngjillit për ngrohje.

“Problemi për t’i furnizuar me lëndë djegëse të gjitha institucionet arsimore për vitin shkollor 2018/2019, nuk qëndron te DKA-ja, por tek Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila ka nxjerr një vendim shumë vonë, përmes të cilit ka ndaluar shkollat të përdorin si lëndë djegëse për ngrohje thëngjillin. Ky vendim i MASHT-it ka detyruar DKA-në në Drenas, që fillimisht ta tërheq kërkesën nga prokurimi për blerjen e thëngjillit dhe të rishpall tenderin për lëndë djegëse (dru) nëpër të gjitha institucionet shkollore me çka edhe ka krijuar vonesa në zgjedhjen e furnitorit”, thuhet mes tjerash në njoftimin e komunës së Drenasit.