Komuna e Malisheves. Malisheve. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla

Komuna bën me shtëpi tri familje, njëra prej tyre jetonte në shtëpi 120 vjet të vjetër

Komuna e Malishevës ka financuar ndërtimin e tri shtëpive për tri familje në nevojë të kësaj komune.

Këto shtëpi janë ndërtuar në kuadër të programit për rritje të mirëqenies sociale të qytetarëve të komunës së Malishevës dhe në kuadër të përkrahjes së familjeve në nevojë.

Sipas komunikatës së Komunës së Malishevës, familjet që sot janë bërë me shtëpi të re banimi janë familja e veteranit të UÇK-së, Naim Gashit nga Balinca, pastaj e pjesëtarit të komunitetit rom, Rrahman Kovaçit në Banjë dhe familja e Xhevat Bytyçit në Kërvasari, të gjitha raste të rënda sociale.

Kryetari i kësaj Komune, Ragip Begaj tha se ndërtimi i këtyre shtëpive është obligim i komunës.

“Është kënaqësi dhe ndihesh mirë, kur ke mundësi që t’i ndihmosh familjet në nevojë. T’ia sigurosh strehimin një familjeje të një veterani të luftës, pastaj familjes tjetër, që me gjithë mundin dhe përpjekjen nuk ka mundësi të ketë kulm mbi kokë, apo një pjesëtari të një komuniteti pakicë, është njerëzore dhe në të njëjtën kohë kryerje e një obligimi të komunës, në raport me qytetarët e saj”, tha Begaj, gjatë përurimit të shtëpive për këto tri familje.

Po ashtu, Begaj tha se çështja e banimit në komunën e Malishevës gati është zgjidhur me ndërtimin e Qendrës së Banimit Social.

“Ne po mundohemi që mirëqenia e qytetarëve të rritet dhe rastet si këto, që e kanë problem strehimin, jemi duke u munduar që ti përkrahim me investime konkrete, pasi jo thjesht do ta kenë një problem më pak, por do ta kenë të zgjidhur përgjithmonë çështjen e strehimit. Në këtë drejtim, me ndërtimin edhe të Qendrës së Banimit Social, besoj se çështja e banimit, do të jetë pothuajse e zgjidhur në Komunën e Malishevës”, shtoi Begaj.

Përndryshe, përurimi i  këtyre tri shtëpive, hyn në mesin e ndërtimit të gjashtë shtëpive të reja për familjet në nevojë,  që i ka bërë Komuna e Malishevës, gjatë këtij viti. Ndër familjet që kanë përfituar shtëpi, është edhe ajo e familjes Kovaçi, nga komuniteti rom, e cila deri më sot ka jetuar në një shtëpi rreth 120 vjet të vjetër, thuhet në komunikatën e Komunës.