Ilustrim | Foto: Atdhe Mulla

Kompetencat për Policinë Zvarrisin Ligjin për Prishtinën

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Qeverisje Lokale nuk e kanë proceduar Projektligjin për Prishtinën në pritje të sqarimit të kompetencave që kryeqyteti mund t’i ketë mbi policinë brenda territorit të vet.

Anëtarja e këtij komisioni Shqipe Pantina, nga Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP), në mbledhjen e e sotme të komisionit shtroi pyetje pse nuk është në rend dite shqyrtimi i këtij projektligji.

“Pse nuk e kemi Ligjin për Prishtinën në rend dite? Propozimi im është që sot me e futë në rend dite. S’po shoh arsye që mos me u procedu sot Ligjin për Prishtinën. S’po i kuptoj vonesat”, tha Pantina.

Por kryetari i këtij komisioni, Nait Hasani (PDK) tha se janë duke punuar me policinë gjatë procesit të hartimit të këtij dokumenti.

Anëtari tjetër i komisionit, Milaim Zeka (NISMA), e pyeti Hasanin nëse pengesat për shqyrtimin e këtij projektligji janë në Komision apo të Policia.

“Te policia. Kemi kërku edhe përgjigje shtesë”, tha Hasani.

Ligji për Prishtinën parasheh kompetenca shtesë të kryeqytetit në policinë, gjë e cila ka nxitur mosmarrëveshje ndërmjet Policisë dhe drejtuesve të komunës.