Kompanitë nga Kosova pjesë e panairit më të madh botëror të ushqimit dhe pijeve SIAL 2018 – Foto: Ministria e Diasporës

Kompanitë nga Kosova pjesë e panairit më të madh botëror të ushqimit dhe pijeve

Frutomania, ABI, Devolli Co., Ujë Rugova, Eurofood, Agrium, Bodrumi i Vjetër, Elkos (Pi&Ki) dhe Frutex janë bizneset që janë duke e përfaqësuar Kosovën në  panairin më të madh botëror të ushqimit dhe pijeve SIAL 2018 në Paris.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Diasporës, pronarët dhe përfaqësuesit e këtyre kompanive u shprehën të kënaqur që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht KIESA ka mundësuar praninë në këtë panair dhe e kanë cilësuar si një mundësi për të bashkëpunuar me kompani të tjera nga e gjithë bota.

Me këtë rast, ministri i Diasporës, Dardan Gashi, në emër të Qeverisë së Kosovës, u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur me prezencën e kompanive dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme dhe më të madhe në panairet tjera.

“Ne kemi një produkt shumë kualitativ i cili e meriton që të eksportohet sa më shumë. Qeveria e Kosovës do të jetë pranë prodhuesve vendorë tani – dhe në të ardhmen, me shpresë që në katër ditët në vijim sa zgjat ky panair, kompanitë tona të nënshkruajnë sa më tepër kontrata me kompani të huaja për eksport. Puna dhe mbështetja jonë nga ana tjetër, nuk do të ndalet me kaq”, tha ai.

Nga ana tjetër, kompanitë e Kosovës që kanë ekspozuar produktet dhe veprimtarinë e tyre në këtë panair, u shprehën mirënjohës për Qeverinë që financiarisht ka ndihmuar duke paguar për tërë hapësirën që shfrytëzohet nga ta në SIAL.

Përfaqësuesi nga kompania Frutex, u shpreh i kënaqur me ndihmën e ofruar për t’u përfaqësuar në këtë panair prestigjioz.

“Është mundësi e mirë për ne që të jemi prezentë këtu pasi që përmes kontakteve dhe takimeve kemi mundësi edhe të nënshkruajmë marrëveshje të ndryshme eksporti”, tha ai, sipas komunikatës së Ministrisë së Diasporës.

Gashi vizitoi edhe një kompani prodhuese nga Shqipëria, e cila e vetmuar kishte ekspozuar prodhimet e saj, pasi që qeveria shqiptare nuk është përfaqësuar në nivel shteti dhe nuk ka dhënë mbështetje për prodhuesit vendorë.

SIAL 2018 është panairi më i madh i ushqimit dhe pijeve në botë, ku rreth 7200 biznese nga 120 shtete të botës ekspozojnë produktet e tyre.