Takimi i Shefit të Misionit të KNKK së bashku me Këshilltarin e Kryeministrit Haradinaj- Foto: Zyra e Kryeministrit Haradinaj

Komiteti Ndërkombëtar Ndihmon për të Zhdukurit

Shefi i Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), Agim Gashi ka dorëzuar sot propozimet e KNKK-së për përfshirje të mundshme në çështjen e personave të zhdukur.

Në njoftimin e zyrës së kryeministrit, thuhet se gjatë ditës së sotme janë takuar këshilltari i Haradinajt, Jahja Lluka me Shefin e Misionit të KNKK-së, Agim Gashin.

Gjatë këtij takimi, shefi i misionit të KNKK-së, Agim Gashi, i ka dorëzuar mbajtësit të dosjes për çështjen e personave të zhdukur propozimet e KNKK-së për përfshirje të mundshme.

“Propozimet kyçe të KNKK-së ndërlidhen me zbatimin dhe plotësimin e bazës ligjore për çështjen e personave të zhdukur, mundësitë për sigurimin e informatave të reja, si dhe adresimi i çështjes së mbetjeve mortore të paidentifikuara”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, mbajtësi i dosjes Jahja Lluka, ka vlerësuar angazhimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.