Ilustrim

Komisionit për Miniera dhe Minerale 'i kujtohen ligjet', paralajmëron masa për shkatërruesit e natyrës

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale përmes një komunikate ka njoftuar se kanë filluar zbatimin e planit operativ për të identifikuar bizneset apo personat fizik që degradojnë natyrën.

Ky komision do të zbatojë këtë plan operativ së bashku me Policinë e Kosovës, Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Inspektoratin e Agjencisë se Pyjeve, Inspektoratet nga Komunat, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas komisionit, këta operatorë po shkaktojnë degradimin dhe shkatërrimin e lumenjve, fushave dhe kodrave (shfrytëzimi i lumenjve dhe fushave për nxjerrjen e zhavorrit dhe gurëthyesit e ndryshëm) në mënyrë të kundërligjshme.

“Qëllimi i këtij plani operativ është të ndërmerren të gjitha masat operative për të identifikuar të gjitha bizneset dhe personat fizik, të cilët veprojnë kundër ligjeve në fuqi, të gjitha aktivitetet e bizneseve të licencuara dhe ato që nuk posedojnë licenca në sektorin minerar, dhe të gjitha zonat e braktisura ku është zhvilluar aktivitet minerar, të cilat janë duke kryer apo kanë kryer veprën penale të Degradimit dhe shkatërrimit të mjedisit nga neni 347 i KPK-së. Detyrat që do t`i përmbaj ky plan janë: Ndërprerja e punës së menjëhershme të gjithë operatorëve të paligjshëm, zbatimi i ligjit të aplikueshëm, evidentimi dhe procedimi penal në bashkëpunim me organet tjera të drejtësisë, Prokurori dhe Gjykatë. Mënjanimi i kësaj dukurie në atë lokacion duke shtuar kontrollin nga policia e Kosovës dhe mënjanimi i rreziqeve që paraqiten nga vend punishtja së bashku me KPMM-në dhe MMPH-në”, thuhet në komunikatë.

Komisioni ka urdhëruar operatorët ta respektojnë urdhëresën dhe të pajisen me Licencë apo Leje të aktiviteteve të veçanta dhe të plotësojnë kushtet për aplikim sipas Ligjit për Miniera dhe Minerale.