Komisioni për të Drejtat e Njeriut diskutoi për 100 punëtorët e larguar nga KEDS

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Avokati i Popullit si dhe përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik kanë diskutuar  për peticionin e Federatës së Sindikatave të Pavarura Elektrokosova (FSPE) lidhur me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës për kthimin e punëtorëve në punë.

Të ftuar në këtë takim ishin edhe përfaqësuesit e KEDS-it por që nuk u paraqiten para komisionit.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur Elektrokosova, Hysni Gashi, ka treguar rrugën ligjore që e kanë ndjekur 100 punëtorët e larguar nga KEDS.

“Në momentin kur u larguan këta 100 punëtorë, ne ju kemi drejtuar Inspektoratit të Punës dhe inspektorati ka konstatuar se ka shkelje. T`u e pa moszbatimin e vendimeve ne ju kemi drejtuar komisionit. Na habit fakti që edhe Gjykata vet nuk po e përmbaron vendimin që ka dhënë vet, më 14 dhjetor KEDS ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese një opinion për ligjshmërinë e Gjykatave”, tha ai.

Tutje Gashi insistoi që Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka qenë vazhdimisht e informuar për shkeljen e të drejtave të punëtorëve.

“Jemi ardh për zbatimin e vendimit, kemi qenë të gatshëm me dhënë një kontribut në zgjidhjen e këtij problemi. Na nuk po lypim me trajtu çështjen e punëtorëve të marrëveshjes, ju si MZHE keni qenë të njoftuar për të gjithë veprimet që i ka marrë KEDS, kundër punëtorëve”, tha ai.

Nasuf Hasani avokat i punëtorëve të larguar tha se vendimet ligjore pro punëtorëve duhet të zbatohen.

“Vendimet e inspektoratit të punës janë të ekzekutueshme pas shkallës së dytë edhe gjykata në këtë procedurë përmbarimore ka vepru në drejtim të detyrimit të KEDS-it për t`i zbatuar këto vendime, mirëpo KEDS nuk e ka zbatu vendimin e gjykatës”, tha ai.

Emsala Limani, përfaqësuese nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, përmendi sqarimet që i kanë marrë nga KEDS.

“Kemi dërguar pyetje në KEDS, dhe sipas tyre largimi është bërë për shkak të mbylljes se departamentit, KEDS, ka informuar se ka ofruar dy paga bruto për këta punëtorë, këta punëtorë janë ankuar tek inspektorati dhe inspektorati ka marrë vendim për kthimin e tyre në punë, por sipas KEDS është Gjykata ajo që i kthen në pune. Sipas përgjigjeve zyrtare, kjo çështje nuk është e mbyllur”, tha ajo.

Tutje Limani tha që MZHE nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në këtë çështje.

“Sipas tyre ky vendim është jo i drejtë, dhe sipas tyre ata janë në përgjigje të vendimit të Gjykatës. Qeveria e Kosovës ka garantuar vetëm për tri vite vendin e punës, ne nuk kemi kompetenca”, tha ajo.

Duda Balje kryetare e këtij komisioni ia ka tërhequr vërejtjen përfaqësueses së MZhE-së duke thënë se: ”Nuk jeni këtu për të folur për KEDS por për Ministrinë  e Zhvillimit Ekonomik”.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha që debatet për këtë temë janë të kota, sepse ka vendim të plotë të gjykatës për këtë çështje.

“Nuk e di një situatë kur një komision parlamentar mundet me fitu një autoritet siç është KEDS,  i cili nuk merr pjesë. Krejt debati është i panevojshëm sepse ekzistojnë vendimet e plotfuqishme, KEDS mund t`i drejtohet Gjykatës Kushtetuese por kjo nuk e ndalon përmbarimin. Këtu kemi të bëjmë me të drejtat e punëtorëve, KEDS ka pasur një përvojë të mëhershme me 1000 punëtorë ku edhe ka humbur rastin. Është absurde që këta punëtorë të mos kthehen në punë, dhe është e panevojshme të gjykohet çfarëdo aspekti sepse kemi të bëjmë me vendimin e Gjykatës dhe duhet të ndodhë përmbarimi”, tha ai.

Edhe deputetja Teuta Haxhiu, kërkoi nga përfaqësuesja e MZhE-së që të mos bëhet “avokat” i KEDS-it.

“Sot në mungesë të përfaqësuesve të KEDS, asnjëri prej neve nuk e kemi të drejtën të jemi avokat të tyre, përderisa ka vendim të gjykatës, nëse nuk keni informata më mirë është më thanë që s`keni informata”, tha ajo.

Ndërsa pas gjithë këtyre kritikave përfaqësuesja e MZhE-së tha se nuk po e mbronë KEDS-in por vetëm po i interpreton faktet.

“Nuk jam në mbrojte të KEDS, po flas me shënime zyrtare. Unë u mundova me e spjegu që si MZHE kemi mbikëqyr se a janë largu brenda kontratës e cila ka garantu vendin e punës për 3 vite”, tha ajo.

Kryetarja e komisionit, Duda Balje ka pyetur përfaqësuesit e MZhE-së se “çfarë do të bëjnë për punëtorin e KEK-ut?”.

Ndërsa përfaqësuesja e MZHE-së tha që nuk mund të ndërhynë në proces tani.

“Ne nuk mundemi më ndërhy se tash kjo çështje është në Gjykatë mes punëtorëve dhe gjykatës, ne e kemi monitoruar deri kur ka skaduar garancioni, përgjegjësia e ministrisë ka qenë për tri vite dhe ky garancion ka skaduar në vitin 2016”, tha Limani.

Në fund kryetarja Duda Balje tha që do të kërkojnë nga MZhE-ja që të kërkoj zbatimin e vendimit të Gjykatës i cili i jep të drejtë punëtorëve të larguar.