Në Komisionin për Media u diskutua për komentet rreth Ligjit për RTK-në - Foto: KALLXO.com

Komisioni për Media Dëgjon Komentet për Ligjin e RTK-së

Në prani të palëve të interesuara, përfaqësuesve të mediave, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë, në Komisionin parlamentar për Media janë dhënë komentet lidhur me Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës.

Fillimisht, në këtë takim, i cili drejtohej nga deputetja, Xhevahire Izmaku, anëtarja e këtij Komisioni, Mirjeta Heta, lexoi komentet e dërguara nga EBU – Unioni Evropian i Transmetuesve.

“Një shkarkim eventual i menaxhmentit të RTK-së në rast të mosmiratimit të raportit të RTK-së, siç parashihet në plotësim-ndryshimin e Ligjit, do ta rrezikonte seriozisht pavarësinë e RTK-së“, lexoi ajo letrën e dërguar nga EBU.

Kjo çështje parashihet në komentet e bëra nga anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në Kuvendin e Kosovës.

Pasi kjo çështje u ngrit edhe nga disa të pranishëm të tjerë, si dhe nga vetë anëtarët e Bordit të RTK-së dhe drejtori Mentor Shala, anëtari i këtij Komisioni, Ferat Shala, me arsyetimin se dispozita që parasheh shkarkimin nga Kuvendi i Kosovës të menaxhmentit të RTK-së në rast të mosmiratimit të raportit ishte një gabim apo lapsus teknik, prandai kërkoi nga të pranishmit që të mos humbin kohë me atë dispozitë.

Propozime, kritika por edhe lëvdata për ndryshimet ligjore në Ligjin për RTK-në pati edhe autorja e emisionit “Jeta në Kosovë”, Jeta Xharra.

Përderisa lavdëroi faktin që dikush nga anëtarët e Komisionit ka propozuar që emisionet e RTK-së të kenë karakter hulumtues, Xharra propozoi që anëtarët e Komisionit të bëjnë disa ndryshime lidhur me bordin e RTK-së.

“Bordi i RTK-së nga disa anëtarë po shihet si një vend pune. Për ta evituar këtë propozoj që anëtarët e bordit të mos paguhen me paga por vetëm me mëditje dhe vetëm ashtu do të dalin në pah ata që vërtetë ia duan të mirën RTK-së”, tha Jeta Xharra.

Po ashtu, Xharra pati edhe propozime të tjera, ndër to edhe atë që përveç formave që janë paraparë për financim të RTK-së, të parashihet me ligj që edhe ofruesit e shërbimeve kabllore t’i paguajnë RTK-së një tarifë të caktuar.

Jeton Mehmeti nga instituti GAP propozoi që anëtarët e Bordit nga 11 sa janë aktualisht të reduktohen, teksa tha se anëtarët e bordit të RTK-së paguhen më shumë se në disa vende të rajonit.

Palët që morën pjesë në dëgjim u ftuan që brenda 10 ditësh t’i paraqesin me shkrim komentet e tyre në Komision.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) brenda këtij afati do të paraqesë në Komision komentet dhe rekomandimet lidhur me këtë Ligj.