Komisioni për arsim shtyn shqyrtimin e Projektligjit për Punëtorët e Arsimit të Viteve 90-ta

Projektligji për statusin e punëtorëve në arsim në vitet e 90-ta po duket barrë e rëndë për Komisionin Parlamentar për Arsim.

Kështu vlerësuan deputetët e këtij komisioni që thanë se për shqyrtimin e këtij projektligji duhet ndihma e ekspertëve financiarë dhe përfshirja e Minstrisë së Financave dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Teuta Haxhiu kritikoi Ministrinë e Financave për mos sjelljen e komenteve me shkrim lidhur me këtë projektligj megjithëse e kishte kritikuar atë në shqyrtimet paraprake.

“Ministria e  Financave ka bërë propagandë por e ka dhënë nënshkrimim. Nuk ka sjellë asnjë koment dhe kjo tregon që nuk janë intetesuar me pas një ligj funksional por të bërë politikë. Është dashtë edhe prej Ministrisë së Arsimit  me na sjellë të dhënat e sakta se sa në fakt ëshrë numri i mësimdhënësve që përfitojnë për një vit”, tha Haxhiu.

Në anën tjetër, deputeti Nezir Çoçaj tha se përfshirja e të shumë kategorive të punëtorëve të arsimit si përfitues të benefiteve jashtë kategorisë së mësimdhënësve është problematike.

“Unë mendoj se ne duhet të fokusohemi vetëm te fusha e arsimit.Askush nuk mund të krahasohet me mësuesit e asaj kohe. Unë mendoj se duhet të fokusohemi vetëm në sektorin e arsimit”, tha Çoçaj.

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Driton Çaushi e pa si problematike që ky projektligj i është lënë për shqyrtim Komisionit Parlamentar për Arsim, kur sipas tij ka të bëjë me një çështje më shumë financiare.

“Kemi pasur dy dëgjime publike dhe përshtypja ime është çë kjo çështje që po trajtohet nuk e ka vendin në komisionin për arsim . Kjo çështje i takon ekspertëve të financave. Po citoj përfaqësuesin  e Ministrit të Financave që nuk kishte siguri për koston e këtij ligji. Nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kishim vërejtje të mëdha për sigurinë e të ardhmes së buxhetit”, tha Çaushi.

Komisioni me në krye, deputetin Ismajl Kurteshi nga Lëvizja Vetëvetëndosje, vendosën që nga tri ministritë e përfshira në këtë projektligj të kërkohen të dhëna me shkrim deri të hënën dhe shqyrtimi për të të vazhdojë më pas.

KALLXO.com ka raportuar mbi dëgjimin publik lidhur me këtë projektligj.

https://kallxo.com/ministria-e-financave-nuk-e-di-koston-e-ligjit-per-punetoret-e-arsimit-ne-vitet-90-ta/