Komisioni i Kuvendit nuk e pranon ‘Vidovdanin’ si festë zyrtare në Kosovë

Komisioni për Administratë ka shqyrtuar në parim i Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

Nait Hasani, kryetar i komisionjt tha se kanë kërkesë nga Lista Sebe që në Nenin 2 të shtohen edhe disa festa. Një ndër to është 28 Qershori, Vidovdani, datë që shënon përvjetorin e Betejës mesjetare të Kosovës.

Hasani tha se kjo festë është e papranueshme.

“Vidovdan është e papranueshme për neve. Ne si komision nuk jemi në gjendje ta marrim një vendim të tillë. Gjithashtu edhe Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji, m’u heqë dhe 9 Maji, Dita e Europës”, tha ai.

Milaim Zeka shtoi se ka shumë festa zyrtare në Kosovë. Ai gjithashtu e krahasoi Listën Serbe me VV-ne duke thënë se “asnjëra nuk e pranojnë shtetin e Kosovës, himnin e as flamurin”.

“Skam kundër festave serbe qe i festojnë në shtëpitë e veta”, tha Zeka.

“Problemi i Listës Serbe dhe VV është se asnjëra nuk e pranojnë shtetin e Kosovës as himnin as flamurin”, shtoi ai.

“Ju po thuani se nuk është provokative, kjo është shumë provokative”, tha Zeka duke shtuar se serbët vijnë për këtë festë me fotografi të Slobodan Milosheviqit.

Nga mbledhja e sotme e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike. Foto: Kallxo.com

E deputeti i VV-së, Adem Mikullovci tha se “nuk është aspak e hijshme” që VV të krahasohet me Listën Serbe.

“Vidovdani të kërkohet të hyjë në festë zyrtare të Kosovës kjo është absurde. Nuk e votoj i gjallë asnjëherë”, tha Mikullovci.

“Nuk ju krahasova me Listën Serbe, unë thash se është një problem që VV nuk e pranon himnin e Kosovës”, u përgjigj Milaim Zeka.

Për këtë krahasim reagoi edhe deputetja e Listës Serbe, Jasmina Zhivkoviq, e cila tha se propozimi i kësaj feste nuk është provokim ndërsa krahasimin e subjektit të saj politik me VV-në e quajti absurd.

“Për ne, Listën Serbe, krahasimi me VV është absurd. Çdo propozim që vjen si Lista Serbe merret si provokim dhe menjëherë refuzohet”, u ankua ajo.

“Kjo është pasqyrë negative”, tha Zhivkoviq.

Edhe Imet Rrahmani i LDK-së tha se nuk e voton propozimin e Listës Serbe

Ndërsa Shqipe Pantina e PSD-së tha se në parim janë që gjitha minoritetet të trajtohen të barabartë.

“Çka po më vjen keq është që ky propozim do të ngjallë temë tjetër që do të na shkëputë prej problemeve reale që i kemi. Projektligji i plotëson kushtet me shku në seancë, ky projektligj duhet të diskutohet në seancë”, tha Pantina.

“Duhet t’i kthehemi edhe një herë nenit 2 të këtij projektligji. E shoh të panevojshme pse duhet ne me festu 9 Majin. E për 1 Majin kam qëndrim tjetër sepse 1 Maji duhet të jetë ditë e lirë që puntorët ta shënojnë ditën e tyre”, tha ajo.

Rasim Selmanaj i AAK-së tha se nuk do ta votojë propozimin e Listës Serbe as në komision as në seancë.

“S’ka pse ndihet keq kolegia serbe”, tha Selmanaj.

“Ne jemi kundër për 28 Qershorin. Ky debat do të bartet edhe në Kuvend. Por unë as këtu as në seancë nuk e votoj me qenë festë zyrtare e serbëve”, tha Selmanaj.

Ky projektligj u përcoll për parim në kuvend me një vërejtje rreth propozimit për 28 Qershorin.