Komisioni hetimor s’ka kujt t’ia paraqesë raportin për dëbimin e shtetasve turq

Komisionit Hetimor Parlamentar të formuar për të hetuar rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, i ka skaduar mandati pa arritur të paraqesë para Kuvendit raportin përfundimtar.

Për këtë arsye, kryetari i këtij Komisioni, Xhelal Sveçla, dhe nënkryetari Driton Selmanaj, javën e kaluar kanë ushtruar padi ndaj kryesisë së Kuvendit në Gjykatën Themelore në Prishtinë për siç thuhet se “ky organ nuk ka lejuar Komisionin që ta përmbushë mandatin e saj ligjor, duke mos lejuar që Komisionit t’i vazhdohet mandati i përcaktuar me ligj”.

Ky komision është funksionalizuar në muajin korrik të vitit 2018, ndërkaq në fund të vitit të kaluar kishte kërkuar nga kryesia e Kuvendit zgjatjen edhe për një muaj të mandatit në mënyrë që të arrijë të përfundojë punën për të cilën ishte formuar.

Komisioni ka për qëllim të hetojë rrethanat për ndriçimin e procedurave që çuan deri te deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova më 29 mars të vitit të kaluar.

Me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë është mjek.

Kryetari i këtij Komisioni, Xhelal Sveçla, dyshon se mungesa e një vendimi për t’i vazhduar mandatin këtij komisioni është bërë qëllimisht, pasi siç thotë ai, gjatë hetimeve janë identifikuar shkelje nga zyrtarë në pushtet.

“Nuk është në dorën e tyre që të shkelin ligje apo rregulla të Kosovës. Në qoftë se ne lejojmë këtë, atëherë ne i nënshtrohemi një diktati paprecedent. Edhe vet ngjarja ishte paprecedent. Edhe kjo tentativë për të mbuluar atë më të vërtet është e rrezikshme dhe ne nuk do të dorëzohemi para kësaj tentative”, tha Sveçla.

Sipas tij, Komisioni ka kërkuar afat shtesë edhe një muaj në mënyrë që të miratohet raporti dhe më pas të thirret një seancë e jashtëzakonshme, që të diskutohen të gjeturat nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Anëtarët e këtij Komisioni kërkojnë nga gjykata që ta obligojë kryesinë e Kuvendit që ta zbatojë Ligjin, që nënkupton të lejojë vazhdimin e mandatit të Komisionit për ndriçimin e çështjes së dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

“Ne e kemi parë si shkelje dhe kemi ngritur padi, bazuar në faktet që i kemi prezantuar Gjykatës. Tash presim që Gjykata të marrë vendimin meritor që Komisioni të vazhdojë me punën e tij deri në përfundimin e raportit”, tha deputeti Sveçla.