Komisioni hetimor për listat e fryera të veteranëve përplas Andin Hotin dhe Avdullah Hotin

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Abudllah Hoti përmes një postimi në Facebook ka reaguar në lidhje me  Komisionin Hetimor për listat e fryera të veteranëve, duke thënë se formimi i këtij komisioni është kërkuar vetëm “për të larë veten”

“I pesëfishojnë listat e veteranëve me mashtrues, e kërcënojnë prokurorin që hetonte veteranët e rrejshëm dhe ata që ju mundësuan të futen në lista, nuk e zbatojnë ligjin në fuqi për kufizimin e shpenzimeve për pensionet e veteranëve në 0.7% të Bruto Produktit Vendor.E tash kërkojnë Komision Hetimor për të larë veten”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se çështjen e listave të fyera nuk e zbardhë Komisioni Hetimor parlamentar, por drejtësia e guximshme, e pavarur politikisht dhe e pa thyeshme përballë kërcënimeve.

“Ne, Lidhja Demokratike, në qeverinë e ardhshme do të sigurohemi për të pasur një gjyqësorë të tillë, i cili është parakusht për të ardhmen demokratike dhe evropiane të shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Hoti.

Ky postim i Hotit, ka ngjallur reagime të deputetëve të pozitës.

Andin Hoti, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka reaguar pas postimit të Hotit, duke thënë se  deklarata e Abudullah Hotit nuk mund të merret seriozisht.

“Si çdo iniciativë tjetër, që mund të jetë interes i qytetarëve, për çudi LDK del kundër (po e kujtoj rastin e fundit, iniciativën për themelimin e Gjykatës ndërkombëtare për Gjenocidin e Serbisë në Kosovë, për të cilën LDK e lëshoi sallën e Kuvendit).Veç për kuriozitet, sepse deklaratat e z. Hoti nuk mund të merren më seriozisht, sidoqoftë, çfarë ka për tu ‘larë’ Kryetari i PDK-së për luftën para teje z. “Lider”?”, a shkruar Hoti.

“Si është e mundur që nuk skuqeni kur flisni para z. Veseli për luftën? Apo ndoshta, e barazvlerësoni luftën që ti e ke parë në filma, me luftën që z. Veseli e ka bërë në 1997-1999 përball paramilitarëve serb, dhe i jep vetit të drejtë të flisni për luftën? Jo, lufta e UÇK-së nuk ka qenë skenë filmi, ka ndodh në të vërtetë, para hundëve tuaja”, ka shkruar tutje Hoti.

Hoti ka vazhduar postimin e tij duke akuzuar Abudullah Hotin se gënjen hapur para mediave.

“Ne Lidhja Demokratike e Kosovës do të…” është frazë e njëjtë si në fushatën e kaluar, e besa në çdo fushatë tjetër, por unë nuk e mbaj mend një mandat tuajin që mund të merret për lavdatë, e aq më pak shpresëdhënës. Fatkeqësisht për simpatizantët tuaj, disa nga ju “liderët” e LDK-së jeni bërë veç komentues të Facebook-ut, por as aty s’po ju merr kush më seriozisht. Nuk kanë faj, sepse ti z. “Lider” nuk mbajë mend që ke dhënë ndonjë deklaratë me përmbajtje serioze, ti s’e flet të vërtetën, e madje gënjen edhe hapur publikun kur mediat i ke para vetes. (Ne Lidhja Demokratike e Kosovës NUK do të marrim pjesë më në asnjë votim…) frazë tjetër jo serioze e juaja, që e kam ndëgju me dhjetëra herë në Kuvend”, ka shkruar Hoti në reagimin e tij.

Në postimin e tij, deputeti i PDK-së ka përmendur edhe rrahjen e cila ndodhur brenda anëtarësisë së LDK-së në Degën në Mitrovicë.

“Rrahja brenda anëtarësisë së LDK-së në Degën e Mitrovicës si tu duk, kush fitoj në atë ‘duel’? Oh, harrova “spaske” qenë aty! Teknologjia të zuri në rrenë edhe këtu!”, ka shkruar Hoti.

Pas reagimit të deputetit të PDK-së, Andin Hoti, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Abdullah Hoti i është kundërpërgjigjur duke thënë se do ta ruaj respektin për Hotin, për hire se është djali i njëriu të madh të Kosovës.

“Gjuhen që Andini po e përdor ndaj meje unë nuk mund ta përdor ndaj tij. Andini është djali i një njeriu të madh të Kosovës dhe të Rahovecit. Për hire të babës se tij, unë do ta ruaj respektin për Andinin dhe do ta kursej”, ka shkruar Hoti në postimin e tij.