Ilustrim: Jeta Dobranja/Trembelat

Komisioni Evropian ndërhyn në monopolin për homologimin të automjeteve

Komisioni Evropian ka dërguar ekspertë të saj në Kosovë që të monitorojnë korrigjimin e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Infrastrukturës që e “trash” monopolin në homologimin e automjeteve, për të cilin “Drejtësia në Kosovë” kishte shfaqur hulumtimin në muajin maj të këtij viti.

Emisioni Drejtësia në Kosovë kishte publikuar hulumtimin se si Ministria e Infrastrukturës përmes një Udhëzimi Administrativ kishte trashur monopolin në homologim të automjeteve.

Ky Udhëzim Administrativ binte ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte gjetur se ky UA bie ndesh në disa nene me Ligjin për Mbrojtje të Konkurrencës, madje ata e kishin njoftuar Ministrinë e Infrastrukturës edhe atëherë kur ky Udhëzim ishte veç si draft.

Pas publikimit të emisionit “Trashja e monopolit në homologim” nga Drejtësia në Kosovë, kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ishte takuar me ministrin Pal Lekaj, ku thuhej se kishin rënë dakord që t’i harmonizojnë qëndrimet për UA-në në fjalë.

https://kallxo.com/trashja-e-monopolit-pal-lekaj-takohet-me-kryetarin-e-autoritetit-te-konkurrences/

Mirëpo kanë kaluar më shumë 1 muaj e gjysmë dhe palët nuk kanë pasur një takim të dytë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vet kryetari i këtij autoriteti, Valon Prestreshi. Sipas tij, gjatë kësaj jave do të ketë takim në mes të ekspertëve të Ministrisë dhe Autoritetit si dhe pjesëmarrës në takime do të jenë edhe ekspertë të Komisionit Evropian.

“Javën në vijim, Grupi i eksperteve të Autoritetit dhe të Ministrisë po ashtu edhe në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe ekspertët e deleguar nga KE, do të ulen se bashku për ta korrigjuar UA në fjalë”, tha për KALLXO.com, kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi.

Ai është i bindur se do të harmonizohen nenet, që sipas institucionit që ia drejton janë në kundërshtim me ligjin.

“Grupet e ekspertëve do të punojnë se bashku dhe do t’i harmonizojnë të gjitha ato nene të cilat Autoriteti ka konsideruar se bien ndesh me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës”, tha tutje Prestreshi.

Sipas tij, takimet e ardhshme do të mbahen në mes të niveleve teknike.

Këtu mund ta gjeni emisionin e plotë të “Drejtësia në Kosovë”

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’