Konferenca e organizuar nga KOMF - Foto: KALLXO.com

KOMF kërkon që rritja e fëmijëve pa përkujdesje të njihet si profesion

Donjetë Kelmendi, drejtoreshë ekzekutive e Koalicionit të Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ka thënë se Ligji aktual për Familjen nuk e specifikon se a është gjykata apo qendra për punë sociale institucioni që merr vendim për t’ia dhënë një fëmije statusin e fëmijës pa përkujdesje.

Kjo u tha gjatë tryezës së Koalicionit ku u prezantuan problemet kryesore të këtij Ligji.

Kelmendi shtoi se kompetencat e institucioneve mund të rregullohen qartë pasi të bëhen ndryshimet e nevojshme.

Ndërsa deri më tani vendimin për status të fëmijës pa përkujdesje, sipas saj, e ka marrë herë gjykata e herë qendra për punë sociale.

Përveç kësaj ajo tha se duhet të ketë kategorizim të familjeve që i strehojnë fëmijët, të cilët në rast të kundërt do të ishin pa përkujdesje.

“Si çështje e parë që e shohim është kategorizimi i familjeve strehuese sipas nevojave dhe moshës së fëmijëve. Jemi në dijeni që kjo është e paraparë në kuadër të udhëzimeve administrative mirëpo ne e ngrisim këtë si çështje të parë por mendojmë se kjo duhet të jetë e integruar në Ligjin për Familjen”, u shpreh ajo.

Ndër të tjera ajo deklaroi se duhet rritur ndihma institucionale për përkujdesjen e fëmijëve të braktisur.

“Çështje e dytë është shkallëzimi i pagesës… E kemi shumën prej 150 eurosh dhe është diku viti i 11-të që për fëmijë me aftësi të kufizuara strehimi është bërë 250 euro. Kjo si shumë nuk është ndryshuar me vite me radhë pavarësisht se çmimet kanë pësuar rritje”, tha ajo.

Po ashtu, sipas saj, rritja e fëmijëve të cilët përndryshe do të ishin pa përkujdesje mund të njihet si profesion.

“Ishim në Sofje, në Bullgari. Bullgaria si shtet ka filluar strehimin familjar shumë më vonë sesa Kosova por kanë bërë ndryshime shumë të mëdha në kohë rekorde për strehimin familjar duke përfshirë edhe njohjen e profesionit të familjeve strehuese”, shpjegoi ajo.

Ndërsa, në këtë takim mori pjesë edhe zyrtarja nga Ministria e Drejtësisë, Feride Podvorica, e cila tha se është në përkrahje të rekomandimeve të Koalicionit.

“Ne besojmë dhe shpresojmë që legjislacioni i kësaj fushe do të avancohet edhe më tutje”, u shpreh ajo.

Po ashtu, kryeministri Ramush Haradinaj e ka takuar drejtoreshën regjionale të UNICEF-it për Europë dhe Azi Qendrore dhe Koordinatore Speciale për Refugjatët dhe Migrantët në Europë, Afshan Khan dhe ka deklaruar se fëmijët janë “prioritet i rëndësishëm i agjendës qeverisëse”

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, Haradinaj ka theksuar “se edukimi dhe mbrojtja e fëmijëve është investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen tonë, mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik e social në përgjithësi”.