Komandanti Serb: Mlladiq nuk Dha Kurrë Urdhra të Jashtëligjshëm

Një komandant i Ushtrisë Serbe të Bosnjës tha në gjykimin për krime lufte të ish-shefit ushtarak Ratko Mlladiq se i pandehuri nuk i dha kurrë ndonjë urdhër të paligjshëm.

“Nuk kam marrë kurrë ndonjë urdhër të jashtëligjshëm nga gjenerali Mlladiq. Kurrë!” tha Grujo Boriq, ish-komandant i Korpusit të Dytë të Krajinës në Ushtrinë Serbe të Bosnjës në Drvar, gjatë gjykimit të  Mlladiqit në Gjykatën e Hagës ditën e mërkurë.

Boriq tha gjithashtu në gjykatën e mbështetur nga OKB-ja se Korpusi i Dytë i Krajinës nuk dëboi kurrë boshnjakë dhe kroatë nga zona që ishte nën kontrollin e tij.

“Nuk mora kurrë ndonjë raport për këtë gjë. Kjo s’ka ndodhur kurrë. Po të kishte ndodhur, do ta kisha ditur dhe do të kisha marrë masa për këtë,” tha Boriq.

Mlladiq, ish-komandanti i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, akuzohet për persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve, gjë e cila arriti në shkallë gjenocidi në disa komuna. Mlladiq është gjithashtu në gjyq për gjenocid në Srebrenicë, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.

Boriq dëshmoi se në pranverën e vitit 1992, kur Korpusi i Dytë i Ushtrisë Serbe të Bosnjës u krijua, “shumica e myslimanëve ishin larguar” nga territori i njësisë.

Fakti se boshnjakët u larguan dhe aty erdhën serbë nga rajone të tjera “Nuk ishte një problem për ushtrinë”, tha dëshmitari.

“Kjo ishte një çështje për autoritetet komunale, ato lokale dhe ato prej nga erdhën serbët. Ne nuk bëmë asgjë për këtë,” tha Boriq.

Ai shpjegoi se policia ishte në krye të operacioneve brenda zonës së Drvarit, ndërsa Ushtria Serbe e Bosnjës merrej vetëm me çështjet e vijës së frontit.

Boriq gjithashtu tha se ai nuk ishte në dijeni që disa nga vartësit e e tij trajtonin në mënyrë çnjerëzore të burgosur lufte.

“Nuk isha në dijeni të asnjë rasti të tillë. Ndoshta ka ndodhur. Nuk e di. Të burgosurit ishin nën përkujdesjen e organeve të sigurisë dhe nuk më kanë thënë kurrë të ketë ndodhur diçka e tillë,” tha dëshmitari.

Gjykimi i Mlladiqit vazhdon.