Seanca në Gjykatën Supreme në rastin e ish-eprorëve të UÇK-së të Zonës Operative të Drenicës – Foto: KALLXO.com

Komandantët e UÇK-së Nuk i Besojnë ‘Kësaj Drejtësie’

Mbrojtja e Selimit, Lushtakut e Demakut kanë atakuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, në bazë të të cilit ata janë dënuar me burg për krime lufte ndaj popullatës civile.

Avokatët në ankesat e tyre thanë se aktgjykimi i Apelit përmban shkelje esenciale të dispozitave procedurale të vërtetimit të gjendjes faktike.

Po ashtu, ata kërkuan që të prapësohet aktgjykimi i Apelit dhe të kthehet çështja në rigjykim ose të nxirret një aktgjykim lirues për të akuzuarit.

Aktgjykimet e dy instancave të mëparshme thonë se kanë vërtetuar fakte thelbësore se i akuzuari Selimi ishte komandant i UÇK- së i Zonës Operative të Drenicës deri në gusht të vitit 1998, e më pas është zëvendësuar nga Lushtaku.

Por, avokati Arianit Koci kontestoi këtë argument duke thënë se Lushtaku ka qenë vetëm zëvendëskomandant i Zonës së Drenicës dhe kjo është dëshmuar përmes dëshmitarëve të shumtë.

Ndërsa Lushtaku tha se është bërë komandant i Zonës në fund të vitit 1999, e jo në vitin 1998 siç pretendon Prokuroria.

Sipas Lushtakut, e gjithë akuza ka filluar me supozime, pa fakte dhe pa argumente.

Mbrojtësit e të akuzuarve të çështjes përmendën deklaratën e Dëshmitarit A. Ky dëshmitar i mbrojtur sipas Prokurorisë është keqtrajtuar nga të akuzuarit gjatë kohës që është mbajtur në burgun në Likovc.

Mbrojtja thotë se i tërë aktgjykimi është nxjerrë në bazë të dëshmisë së këtij dëshmitari, të cilin avokatët e quajtën “gënjeshtar”.

Pasi që sipas mbrojtësve Dëshmitari A është diagnostikuar me psikozë akute, avokati i Demakut, Mexhid Syla dhe avokati i Selimit, Gregor Smith, pretendojnë se dëshmia e tij nuk mund të jetë kredibile.

“Ai nuk e ka treguar para Policisë, gjyqtarëve e prokurorëve të UNMIK- ut dhe rastin e ka paraqitur tek mbas 11 apo 12 vjetëve se kinse ka ndodhur kjo”, tha Syla.

Pas fjalëve të avokatëve mbrojtës, prokurorja Ewa Korpi elaboroi përgjigjen në ankesë duke thënë se Prokuroria e Apelit ka konstatuar se Lushtaku ka ushtruar kontroll efektiv në qendrën e ndalimit në Likovc, kjo për arsye se burgu ka qenë i drejtuar nga UÇK dhe shtabi i të njëjtës gjendej afër qendrës së ndalimit.

“Ne besojmë se ai ka ditur dhe ka pasë arsye ta dijë se personat në burgun e Likovcit janë duke u keqtrajtuar dhe nuk ka pasur mundësi t’i shpëtojë një gjë e tillë”, tha Korpi.

E për këtë deklaratë, Lushtaku tha se i jep përshtypjen se ka qenë drejtor i burgut apo gardian, e më së paku ushtar.

Ai theksoi se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e imponuar, luftë e cila është bërë për të mbrojtur fëmijët, gratë, shtëpitë, ndonëse jo gjithmonë ia kishin arritur qëllimit.

“E di se kemi shpëtuar shumë civilë, por edhe kemi humbur shumë ushtarë për t’i shpëtuar civilët”, tha Lushtaku.

Sikur edhe të akuzuarit e tjerë edhe Sylejman Selimi tha se nuk beson në këtë drejtësi.

http://kallxo.com/sami-lushtaku-ivanoviqi-ne-shtepi-ne-ne-burg/

Ndërsa, i akuzuari tjetër Demaku tha se janë të dënuar padrejtësisht nga dy instancat. Demaku shtoi se arsyeja e këtij dënimi ka ardhë si pasojë e dëshmisë jokredibile të Dëshmitarit A.

“Më vjen shumë keq nga gjyqtarët se si kanë ra në grackën e atij personi. Një personi të sëmurë mental të trashëguar nga familja”, tha Demaku.

Për fatin e të akuzuarve, Gjykata Supreme pritet të marrë vendim në ditët në vijim.

Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit ia bashkoi Sylejman Selimit dënimet nga grupet “Drenica 1” dhe “Drenica 2”, duke e dënuar me 10 vjet burg, ndërsa Sami Lushtaku nga Apeli u dënua me 7 vjet burg. Edhe Jahir Demaku u dënua si Lushtaku me 7 vjet burg.