Kogjenerimi i Merr Prishtinës 800 Mijë Euro Shtesë

Sot u aprovua lejimi i mjeteve financiare të Komunës së Prishtinës për realizimin  projektit të kogjenerimit – përmirësimit të cilësisë së ngrohjes qendrore në Prishtinë, pas për këtë u mbajt seancë urgjente e Asamblesë Komunale.

Këshilltarët komunalë aprovuan shumën prej 800 mijë euro shtesë të cilat nuk kishin qenë të planifikuara në projekt më parë.

Kjo vjen pasi që Komuna e Prishtinës i kërkoi Këshillit Ndërministror për Ndërmarrje Publike që të marrë vendim për aprovimin e kërkesës për ndaljen e bllokut B1 në Termocentralin Kosova B, për afatin e kërkuar prej 11 ditësh, duke filluar nda data 7 nëntor.

Sipas Komunës, kjo do të ndodhtë pasi që është gjetur një marrëveshje në mes Këshillit Ndërministror, Komunës së Prishtinës si dhe KEK-ut.

Por kostoja që do të paguajnë për këtë projekt Komuna e Prishtinë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik së bashku me Qeverinë Gjermane është 4 milion e 670 mijë euro.

Ministrat Fadil Ismajli dhe Besim Beqaj janë zotuar që t’i ndajnë 2.5 milionë euro për ta paguar një pjesë të kësaj ndaljeje, ndërsa kanë kërkuar nga Komuna që ta sjellin në asamblenë komunale kërkesën për t’i mbuluar 2 milionë e 170 mijë euro.

Por kjo shumë nuk ka mjaftuar.

“Komiteti vlerësues ka vlerësuar se kostoja e çmimit është rritë dhe më nuk është 30 milionë euro siç ka qenë por është 37 milion euro. Rritja prej 7 milionë euro ka ndodhur për shkak të shpenzimeve të paparashikuara, dhe për këtë Qeveria Gjermane me negociatat që ka pasur me Qeverinë e Kosovës, kanë thënë që janë të gatshëm që ta financojnë pjesën më të madhe të projektit, duke i dhënë 4 milionë euro ndërsa 3 milionë të tjera iu kanë mbetur Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës”, tha kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ahmeti tha se Blloku B1 është ndalur të premten në mesnatë, ndërsa pritet që më 24 nëntor në kryeqytet të fillojë ngrohja me anë të kogjenerimit, e cila ndikon në kursimin e energjisë elektrike pasi që ngrohja sigurohet nga uji i ngrohtë për përdoret nga termocentralet në Obiliq.

Kjo lloj ngrohjeje do të jetë shumë më e lirë edhe për prishtinasit, pasi që do të paguajnë vetëm 1 euro për metër katror.

Për këtë propozim nuk kishte kundër as nga partitë opozitare në Asamblenë Komunale.

“Projektin të cilin e arsyetoi edhe kryetari është njëri ndër projektet kryesore që është në vazhdimësi në këto 2-3 vitet e fundit në Komunën e Prishtinë. Është një projekt që kap një shumë të madhe dhe që është jetik për komunën e Prishtinës”, tha Sami Hamiti, asambleist i LDK-së në Asamblenë Komunale të Prishtinës.

Një projekt të tillë nuk e kundërshtoi as Partia Demokratike e Kosovës e as partitë e tjera pakicë në këtë mbledhje të kuvendit.