Kodi +383 i pa-aplikueshëm në Thirrjet Ndërkombëtare

Thirrjet nga operatorët e shteteve të huaja në operatorin publik “Vala”  duke përdorur kodin 383 janë të parealizueshme. KALLXO.com e ka testuar thirrjet në drejtim të “Valës” nga disa shtete, por asnjë nga to nuk e kanë njohur numrin me kodin 383 dhe për pasojë thirrjet nuk kanë qenë të realizueshme .

Këtë e ka konfirmuar edhe kreu i ARKEP-it, Kreshnik Gashi.

Gashi thotë se Telekomi i Kosovës ka filluar fazën e implementimit të brendshëm të kodit telefonik +383, ndërsa për thirrjet ndërkombëtare nevojiten marrëveshje me operatorët ndërkombëtarë.

“Për implementim të plotë të  kodit operatorët telefonikë bëjnë marrëveshje të interkoneksionit dhe të roamingut me operatorët tjerë në botë,  ky është proces teknik në të cilin ARKEP nuk ka të drejtë të ndërhyjë”, tha kreu i ARKEP-it.

Gashi thotë se u takon operatorëve ekonomikë implementimi i kodit ndërkombëtar të telefonisë, ndërsa ARKEP-i i ka caktuar vetëm afatet maksimale deri kur mund të përdoren kodet e vjetra, nëpërmjet një plani të migrimit në kodin e ri telefonik.

Një shpjegim për mosfunksionimin e kodit telefonik në thirrjet nga jashtë e ka dhënë edhe drejtori teknik i Telekomit, Mehdi Latifi.

Latifi thotë se u kanë shkruar operatorëve ndërkombëtarë për t’i mundësuar thirrjet në drejtim të “Valës” duke aplikuar kodin 383.

“Ne sot kemi bërë veprimin e parë edhe u kemi shkruar letër të gjithë operatorëve ndërkombëtarë me të cilët kemi marrëdhënie kontraktuale dhe u kemi bërë thirrje që edhe ata të hapin routat numeracionin 383 drejt nesh”, tha Latifi.

Kjo shkresë nga Telekomi u ka shkuar operatorëve ndërkombëtar: Deutsche Telekom, Telekom Italia, Alb Telekomin, Turk Telekom, por edhe operatorëve të tjerë.

“Ftesa i është dërguar edhe Telekomit të Serbisë në mënyrë që të fillojmë marrëdhëniet kontraktuale edhe me operatorët tjerë në Republikën e Serbisë në mënyrë që të fillojmë raportet komerciale”, tha Latifi.

Ai tregoi edhe çfarë ka shkruar Telekomi i Kosovës në letrën drejtuar operatorëve.

“Në shkresën që e kemi dërguar (operatorëve) u kemi shpjeguar se cili është numeracioni jonë, i publikuar në buletinin e ITU-së me datën 15 dhjetor 2016 dhe cila është tarifa jonë, cilët janë numeracionet që ne i pranojmë këta operatorë,”sqaroi Latifi.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime shtesë nga Telekomi i Kosovës.

Zëdhënësi i tij, Arsim Bilalli tha se thirrjet nëpërmjet kodit të ri mund të jenë funksionale në një kohë më të shkurtër nga Shqipëria dhe Monako.

“Tani për tani kemi konfirmim nga AlbTelekom, Italian Telecom dhe Monaco Telecom. Italian Telecom ka premtuar që me datën 9 shkurt 2017 do të hapë numeracionin +383, ndërsa AlbTelecom dhe Monaco Telecom janë në fazën e sqarimeve teknike me Telekomin e Kosovës dhe mund të ndodhë që edhe sot gjatë ditës të hapen numeracionet +383 në drejtim të Kosovës, respektivisht rrjeti mobil dhe fiks të Telekomit të Kosovës… Në ndërkohë, presim konfirmim nga Deutche Telecom, Turk Telecom, etj, etj”, tha Bilalli në një përgjigje për KALLXO.com.

Kosova e ka marrë kodin 383 në dhjetor të vitit 2016, pas zbatimit të plotë të marrëveshjes për telekomunikacion në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Pas dhënies së lejes nga ARKEP-i, Telekomi i Kosovës është operatori i parë që ka bërë hapjen e numeracionit +383 për të gjithë konsumatorët për thirrjet e brendshme. Kodi është duke u njohur edhe në “Z-Mobile, operatorin virtual të “Valës”.