Koci: Lushtaku, Viktimë e Paragjykimeve dhe Armiqësive

Arianit Koci, avokat i kryetarit të Skenderajt në rastin ku akuzohet për nxitje në keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me një tender për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut, në fjalën e tij hyrëse tha se Sami Lushtaku nuk është as Nëna Terezë as Shën Patriku, por është një patriot, të cilin jeta nuk e ka përkëdhelur shumë.

Avokati Koci në fjalën e tij hyrëse tha se klienti i tij është viktimë e paragjykimeve ndaj tij.

“Nga prokurori dhe nga gjykata kujdes të shtuar në trajtimin e kësaj lënde penale dhe mos të bëhemi ne të gjithë viktime e paragjykimeve dhe armiqësive ndaj tij”, tha avokati.

Koci më pas tha se ndaj Lushtakut është krijuar një momentum negativ, i cili nuk po ndryshohet.

“Është krijuar një momentum negativ kundër Sami Lushtakut dhe s’ka dreq që e ndërron atë. Presim ditë më të mira. Do të vijnë. Jam i sigurt”, u shpreh i bindur Koci.

Më tej, avokati i kryetarit të Komunës së Skenderajt tha se aktakuza që e ngarkon të mbrojturin e tij nuk është e mbështetur në prova.

“I gjithë boshti i aktakuzës kundër Lushtakut është i mbështetur në spekulime dhe paragjykime të pabazuara, të paartikuluara dhe të paargumentuara. Një dëshmitar është bërë në një formë dëshmitar kujdestar ndaj Lushtakut. Kjo është hera e tretë që dëshmon kudër tij, dëshmi kjo që hyn në domenin e fantastiko-shkencores”, tha Koci.

Duke u ndërlidhur me aktakuzën, avokati kundërshtoi se Lushtaku është takuar me drejtorin e KEK-ut lidhur me tenderin. “Arsyeja e takimit ishin brengat e qytetarëve të Skenderajt”, tha ai.

“Lushtaku ka pasur obligim që në cilësinë e kryetarit të Skenderajt të shkojë në KEK dhe të bisedojë për problemet që i ka kjo komunë me rrymë. Është e vërtetë se është takuar me zotëri Gjukën, madje disa herë. Kryetari e bën këtë punë, i zgjedh problemet e komunës dhe qytetarëve të saj dhe mu për arsye se punon shumë për qytetarët e vet ai është kryetari i komunës më i votuari në Kosovë, madje kryetari më i votuar i të gjitha kohërave në Kosovë”, theksoi Arianit Koci. [interaction id=”56cf7f765762585b454038a2″]

Edhe avokati mbrojtës i të akuzuarit Arben Gjuka, Ramë Gashi, në fjalën e tij hyrëse kundërshtoi pretendimet e Prokurorisë, duke thënë se gjatë këtij gjykimi do të dëshmohet se Arben Gjuka është i pafajshëm në këtë rast.

Gashi tha se operatori që në fund kishte fituar tenderin ishte më i lirë sesa operatori që ishte ankuar.

“Do të vërtetohet se në bazë të analizës së kostos së ofertës në mes të operatorit ekonomik “Besa Security” dhe “Security Code”, dëshmohet qartë se operatori ekonomik “Security Code”, si fitues është më i lirë dhe më i volitshëm ekonomikisht sesa “Besa Security” për vlerë prej 68 mijë euro”, tha Gashi.

Fjalën e tij hyrëse e paraqiti edhe i akuzuari Azem Duraku, i cili tha se në këtë gjykim janë duke u shkelur të drejtat e garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky rast ka të bëjë me tenderin për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut, vlera e të cilit ishte rreth gjashtë milionë euro.

Në këtë rast gjyqësor, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim. Ndërsa, ish- drejtori i Prokurimit, Driton Pruthi, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha, akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar. Kurse, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe Azem Duraku akuzohen  për nxitje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Ndërsa, pas ankesës së avokatëve mbrojtës në Gjykatën e Apelit, nga kjo Gjykatë aktakuza ishte konsideruar e pasafatshme dhe ishte gjetur se aktakuza ishte ngritur tre muaj e gjysmë pas skadimit të afatit të hetimeve.

Lidhur me këtë vendim, prokurori i EULEX-it ishte ankuar në Gjykatën Supreme të Kosovës, një trup i së cilës në përbërje prej dy gjyqtarësh të EULEX-it dhe një vendor, ndryshoi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe lëndën e ktheu për procedim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ky vendim shkaktoi reagimin e avokatëve mbrojtës. Disa prej tyre vendimin e cilësuan “skandaloz”, ndërsa për të shqyrtuar ligjshmërinë e këtij vendimi i janë drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe u kërkua masë e përkohshme.

Seanca e radhës do të mbahet me 10 mars.

http://kallxo.com/gjykimi-per-tenderin-e-kek-ut-ne-video360/