KMDLNJ Viziton të Dyshuarit për Vrasjen e Aulon Zekës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) njoftoi të hënën se i ka vizituar dy të dyshuarit për vrasjen e të riut Aulon Zeka në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë.

Të miturit G.H (16 vjeç) dhe R.G. (15 vjeçe) janë arrestuar nga policia një ditë pas vrasjes enigmatike të të riut 16 vjeçar në Prishtinë.

I dyshuari G.H. u ka thënë monitoruesve të KMDLNJ-së se ishte arrestuar të dielën në Prishtinë ndërsa nuk ka dhënë ndonjë vërejtje për sjelljen e policisë gjatë arrestimit dhe të stafit të Qendrës së ndalimit pasi është arrestuar.

Edhe e ndaluara R.G., e cila u arrestua të dielën fillimisht si dëshmitare pastaj si e dyshuar për vrasje, u ka thënë monitoruesve se ndaj saj ka pasur sjellje të mira dhe nuk pati asnjë vërejtje as në sjelljet e Policisë së Kosovës gjatë arrestimit, marrjes në pyetje por as ndaj sjelljes së stafit të Qendrës së Ndalimit.

“Të dy të ndaluarit janë njoftuar me të drejtat që u takojnë dhe aktualisht kanë të angazhuar edhe mbrojtës. Ndaj të ndaluarve është respektuar detyrimi ligjor që dëshminë ta japin në prani të mbrojtësit, prindit apo kujdestarit”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.

Monitorues të KMDLNj-së kanë vlerësuar se gjatë qëndrimit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë nuk ka pasur shkelje të drejtave të personave të privuar nga liria.

“KMDLNj vlerëson lartë punën korrekte të zyrtarëve policorë në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë përkundër kushteve jo-adekuate për punë. KMDLNj kërkon nga Ministri për Punë të Brendshme dhe Drejtori i Policisë së Kosovës të sigurojnë kushte më të mira për oficerët e policisë në këtë qendër si dhe për personat e ndaluar”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.

http://kallxo.com/nje-person-vdekur-gjendet-ne-prishtine/